mormon.org Në mbarë botën

Të Mësuarit Gjatë Gjithë Jetës

Grumbullo Dituri

Sa nga gjërat që kemi vijnë me garanci të përjetshme? Ndoshta një komplet thikash të mira, një tryezë kuzhine, ose një komplet veglash nëse jemi me fat. Tani, cilat nga sendet tona ka garanci të përjetshme? Jozef Smithi na mësoi se “çfarëdo parimi inteligjence që fitojmë në këtë jetë, do të ngrihet me ne në ringjallje", që do të thotë se gjërat që mësojmë tani, do të qëndrojnë me ne dhe do të na sjellin dobi, edhe pasi jeta jonë e vdekshme të përfundojë (Doktrina e Besëlidhje 130:18). Perëndia pret që të gjithë ne të marrim sa më shumë njohuri që mundemi – në shkollë, në punë dhe vetë. Kjo do të na ndihmojë nëpër sfidat e kësaj jete, do të na sjellë më afër Tij dhe do të na përgatisë për jetën që vjen.

Rëndësia e Arsimit Laik dhe Shpirtëror

Përfytyroni sa pa drejtpeshim do të ishte një muzikante nëse ajo do të studionte vetëm një lloj muzike. Ne rritemi dhe zhvillohemi më shpejt kur drejtpeshojmë studimin tonë shpirtëror me arsimin dhe punën e disiplinuar, njësoj siç bëri Jezu Krishti kur doli në botë, duke vëzhguar natyrën dhe duke mësuar zanatin e zdrukthëtarit. Ne do të bënim mirë të ndiqnim shembullin e Tij duke “[u rritur] në dituri, në shtat dhe në hir përpara Perëndisë dhe njerëzve" (Lluka 2:52).

Mormonët nxiten të mësojnë rreth laikes po ashtu si edhe shpirtërores. Njohuritë laike, mund të thoni ju, merren me gjëra që ne mësojmë në shkollë – matematikë, shkencë, histori, letërsi, gjuhë, muzikë e kështu me radhë. Njohuritë shpirtërore janë ato që mësoni nëpërmjet studimit të shkrimeve të shenjta, lutjes dhe pjesëmarrjes në kishë – gjëra si Plani i Lumturisë i Atit tonë Qiellor, Ungjilli i Jezu Krishtit dhe si ta ndërtoni besimin. Të dy llojet e njohurive na ndihmojnë të dimë se si të punojmë me sfidat tona vetjake me një qasje të drejtpeshuar.

Ne vijmë në tokë sipas planit të Perëndisë, në mënyrë që të mund të mësojmë e të përjetojmë të gjitha gjërat e mrekullueshme dhe sfiduese që ka bota për të na mësuar, dhe ne duhet të jemi studentë të mirë për ta përdorur sa më mirë kohën tonë këtu.

Njohuritë laike dhe njohuritë shpirtërore mund të plotësojnë njëra-tjetrën. Ngaqë Perëndia krijoi tokën dhe gjërat që popullojnë atë, studimi i gjeologjisë, fizikës dhe biologjisë na mëson neve më shumë rreth madhështisë së Krijuesit tonë. Autorë dhe poetë mund të shkruajnë me frymëzim qiellor, kështu që leximi i veprës së tyre mund të na japë kuptim për natyrën e shpirtit tonë dhe çfarë do të thotë të jesh njeri. Herë herë të dëgjuarit e një pjese muzikore mund të na ndihmojë të ndiejmë dashurinë e Perëndisë. Edhe njohuritë laike edhe njohuritë shpirtërore marrin nga njëra-tjetra. Të dyja kërkojnë vëzhgim, punë dhe praktikë. Kështu, edhe pse ndonjëherë ne i mendojmë laiken dhe shpirtëroren si të kundërta ose madje si kontradiktore, një njohuri e vërtetë për Perëndinë dhe botën që Ai krijoi, na tregon se të kuptuarit e njërës ndihmon që të kuptohet tjetra.

Arsimi dhe Dija

Dija është themelore për të kuptuar gjërat e Perëndisë dhe gjërat e botës. Ne kemi nevojë të dimë gjërat në shkrimet e shenjta dhe në libra të tjerë të mirë sepse përparojmë më shpejt, edhe materialisht edhe shpirtërisht, kur jemi të arsimuar më mirë. Qendrat e dijes janë një nga shërbimet e shumta që ofron Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe ajo dhuron gjithashtu para për të nxitur iniciativa të tjera ndërkombëtare të dijes.

Një arsimim i mirë dhe aftësia për të lexuar na ndihmon të fitojmë njohuri dhe urtësi, të cilat na aftësojnë të dallojmë të vërtetën nga e gabuara dhe të bëjmë zgjedhje të mira. Arsimimi dhe dituria janë gjithashtu kyçe për rritje personale, për përgatitje për punësim, për të ndërtuar familje të forta, për shërbim në Kishë dhe për të dhënë një kontribut domethënës në shoqërinë ku jetojmë. Aftësia për të lexuar dhe mundësia për të shkuar në shkollë na ndihmojnë për të qenë qytetarë më të mirë, pjesëtarë më të mirë të familjes, punonjës më të mirë dhe fëmijë më të mirë të Perëndisë. Presidenti Diter F. Uhtdorf, i Presidencës së Parë të Kishës, tha: “Lutem i nxitni familjet tuaja… të mësojnë dhe të arsimohen më mirë. Nëse arsimi formal nuk është i disponueshëm, mos lejoni që kjo t’ju pengojë që të fitoni gjithë njohuritë që mund të merrni. Nën rrethana të tilla, librat më të mirë, në një kuptim, mund të bëhen ‘universiteti’ juaj – një klasë që është gjithmonë e hapur dhe pranon cilindo që zbaton." Jozef Smithi na mësoi “Është e pamundur për një njeri të shpëtohet në padituri" (Doktrina e Besëlidhje 131:6). Përmbushja e detyrës sonë për të mësuar sa më shumë që është e mundur, do të na mundësojë të kontribuojmë në botën përreth nesh dhe të përgatitemi të takojmë Atin tonë Qiellor.

Fondi i Përhershëm i Arsimit

Në vitin 2001, Profeti i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në atë kohë, Gordon B. Hinkli, njoftoi një “iniciativë të guximshme" për t’i ndihmuar të rinjtë në vendet në zhvillim të merrnin arsimin që nuk mund ta përballonin dot vetë. Fondi i Përhershëm i Arsimit (FPA) është një program që u mundëson mormonëve pa burime të tjera financiare të marrin hua para për të financuar trajnim profesional ose arsimim të avancuar. Me këtë ndihmë, ata mund mandej të gjejnë punë të mira për të ndihmuar veten dhe familjet e tyre për të dalë nga varfëria. Sapo rregullohen, ata e shlyejnë huan te fondi në mënyrë që studentë të tjerë të mund t’i përdorin paratë në të njëjtën mënyrë. “Arsimimi është çelësi për mundësinë", tha Presidenti Hinkli. Në nëntë vitet e kaluara, 40.000 burrave dhe grave në 40 vende u është dhënë qasje te kjo mundësi. Programi financohet nëpërmjet kontributeve të mormonëve dhe të tjerëve që mbështesin misionin e tij.

Mësoni më Shumë rreth Fondit të Përhershëm të Arsimit

Seminaret dhe Institutet e Fesë

Ngaqë ne besojmë se të mësuarit shpirtëror mund dhe duhet të bëhet krahas me arsimimin laik, Kisha ka ngritur seminare dhe institute të fesë në 142 vende nëpër botë.

Seminari është një vend ku studentë të moshës së shkollës së mesme – edhe anëtarë të Kishës edhe të tjerë – mund të marrin pjesë në orë mësimore fetare pa pagesë gjatë javës. Shumë nga këta studentë takohen herët në mëngjes përpara se të fillojë shkolla e tyre. Institutet e fesë sigurojnë programe të ngjashme për 18-30 vjeçarë, që merren zakonisht krahas me klasat e kolegjit. Këto klasa instituti trajtojnë një larmi çështjesh, përfshirë shkrimet e shenjta, martesën e përjetshme, përgatitjen për misione dhe shumë të tjera. Vitin e fundit, më shumë se 700.000 studentë u regjistruan në seminare dhe institute.

Studentët sot duhet të punojnë fort për të plotësuar standarde të larta shkollore, por shumë mendojnë se marrja e një klase seminari apo instituti i ndihmon ata të përballen me stresin e detyrave të tjera shkollore. Ne besojmë se, kur zbatojmë përmasën shpirtërore të besimit në studimin tonë – edhe të gjërave materiale – ne mund ta përforcojmë aftësinë tonë intelektuale. “Nëse syri juaj drejtohet te lavdia [e Perëndisë], tërë [trupi] [j]uaj do të mbushe[t] me dritë …; dhe [kupton] gjithçka." (Doktrina e Besëlidhje 88:67).