mormon.org Në mbarë botën

Shërbim Komunitar

Përfshihuni në Komunitetin Tuaj

Besimi ynë në Perëndi na nxit të jemi qytetarë të ndërgjegjshëm të vendit, shtetit dhe qytetit tonë. Nëse kemi një këndvështrim përjetësie, ne kujtojmë që jemi të gjithë bij dhe bija të Perëndisë – vëllezër dhe motra të mirëfillta. Duke bërë më të mirën tonë për të qenë qytetarë të mirë, ne po e bëjmë botën përreth nesh një vend më të bukur, më paqësor dhe më të drejtë për vetë familjet tona dhe bashkëqeniet tona njerëzore.

Si mund të ndihmojmë në vetë komunitetin tonë? Çfarë bëjmë ne për ta bërë vendin tonë një vend më të mirë? Qenia një qytetar i mirë mund të jetë aq e thjeshtë sa kërkimi në çështje politike, në mënyrë që të jemi votues të informuar, ose organizimi i një shoqate futbolli që fëmijët e lagjes sonë të kenë për të bërë diçka argëtuese dhe të sigurt pas shkolle. Ose mund të duam të marrim përsipër një problem më të madh që ka qyteti ose shteti ynë, si gjetja e mënyrave për pakësimin e krimit ose përmirësimin e bibliotekës vendore. Çfarëdo që të zgjedhim për të përmirësuar botën përreth nesh, ne mund të jemi të sigurt se “kur je[mi] në shërbimin e bashkëqenieve [tona], [ne] je[mi] vetëm në shërbimin e Perëndisë [tonë]" (Mosia 2:17).

Besnik ndaj Vendit Tuaj

Edhe pasi qeveritë vendore i patën dëbuar ata jashtë vendbanimeve të shumta dhe qeveria federale kundërshtoi t’i mbronte, mormonëve të hershëm iu kërkua dhe ata dërguan një batalion me ushtarë për të luftuar për vendin e tyre. Neni i 12-të i Besimit i Kishës thotë: “Ne besojmë në nënshtrimin ndaj mbretërve, presidentëve, sundimtarëve dhe gjykatësve, në bindjen, nderimin dhe mbështetjen e ligjit". Përkushtimi ndaj besimit tonë nuk do të thotë se ne nuk mund t’ia përkushtojmë veten po ashtu vendit. Një president i mëparshëm i Kishës, Gordon B. Hinkli, tha se një mormon i mirë “është i detyruar të jetë një qytetar i mirë i vendit ku u lind ose që e adoptoi si shtëpinë e tij. Një qytetar i mbretërisë së Perëndisë duhet të jetë para së gjithash midis njerëzve më të mirë të Perëndisë kudo në gjithë botën." Përveç mbështetjes së udhëheqësve të qeverisë dhe pjesëmarrjes në çështje civile, besnikëri do të thotë gjithashtu që ne përpiqemi ta bëjmë vendin tonë një vend më të mirë. Besimi ynë në Perëndi dhe dashuria për bashkëqeniet tona njerëzore mund të na frymëzojë të korrigjojmë disa nga problemet që e përballin vendin tonë.

Pjesëmarrje Domethënëse në Vetë Komunitetin Tuaj

Shumë prej nesh duan të jenë qytetarë të mirë, por nuk është gjithmonë e lehtë të dish se si. Është me rëndësi të kujtojmë se nuk na duhet të dhurojmë gjithë kohën dhe energjinë tonë që ta konsiderojmë veten qytetarë të mirë. Disa orë aty këtu e atje, në vetë komunitetin tonë, mund të bëjnë një ndryshim të madh. Çfarë do të ndodhte me programet sportive të të rinjve nëse asnjë prind nuk do të trajnonte vullnetarisht? Çfarë miqësish mund të humbnin nëse askush nuk do të organizonte festa në gjithë lagjen? Çfarë do të ndodhte me të varfrit, nëse askush nuk do të dilte vullnetar për të ndihmuar në strehët e atyre pa shtëpi dhe kuzhinat e supës? Qytetaria e mirë fillon në shtëpi dhe gjërat e vogla që bëjmë për ta bërë vetë rrugën tonë më të bukur, kanë ndikim më të madh nga sa mund të mendojmë. Ne të gjithë kemi diçka të vlefshme për të dhënë, ne thjesht duhet të gjejmë cila është dhe ta bëjmë.

Qytetarët e Mirë të Tokës

Përveç qenies qytetarë të një qyteti e vendi, ne të gjithë jemi qytetarë të tokës. Perëndia krijoi botën e mrekullueshme ku jetojmë dhe ne kemi përgjegjësi që ta respektojmë atë. Ne mund ta tregojmë mirënjohjen tonë për krijimin e Tij të mahnitshëm duke qenë të vetëdijshëm për burimet natyrore që konsumojmë dhe të punojmë për t’i pakësuar, ripërdorur dhe riqarkulluar ato – Perëndia na dha “sundim mbi të gjitha egërsirat e fushës", por me atë sundim vjen pritshmëria që të veprojmë me përgjegjësi (Moisiu 5:1). Neve na është besuar të kujdesemi për tokën, jo vetëm ngaqë është dhuratë nga Perëndia, por sepse ne varemi nga ajo për t’u ushqyer. Jo aq shumë prej nesh e prodhojnë ushqimin e vet tani siç ndodhte përpara revolucionit industrial, kështu që mund të jetë e lehtë të harrohet se sa të varur jemi nga toka mbi të cilën jetojmë (I gjithë ushqimi ynë vjen nga dyqani i ushqimeve, apo jo?) Do të bënim mirë të kujtojmë se nga vjen buka jonë sot. Për t’i treguar mirënjohjen tonë Perëndisë, ne përpiqemi të punojmë që të ruajmë përdorimin e qëndrueshëm të bukurisë dhe bollëkut të tokës për brezat që vijnë.

Drejtësia Ekzalton një Komb

Qofshi një zyrtar i zgjedhur, mësues shkolle publike apo një votues mesatar, mënyra se si e trajtoni detyrën tuaj qytetare ndikon në rritjen ose kalbëzimin e pjesës suaj të botës. Një vend, një shtet ose komunitet është si një familje – pashmangshmërisht i papërkryer, por po aq i mirë sa njerëzit që e përbëjnë atë. Integriteti i një shteti ndërtohet nga duart e qytetarëve të tij. Thjesht ngaqë ju nuk mund ta bëni vendin tuaj të përkryer nuk do të thotë se ju përjashtoheni nga përgjegjësia. Nëse njerëz me karakter nuk marrin pjesë në vendimet politike që i japin formë jetës së tyre, të tjerë me projekte më egoiste do të sulen për të mbushur zbrazëtinë.


Paguajini Taksa Cezarit dhe Perëndisë

Kur një nga farisenjtë e pyeti Jezusin se çfarë mendonte lidhur me dhënien e një takse në para për qeverinë, Ai tha, “Jepni … Cezarit atë që i përket Cezarit dhe Perëndisë atë që i përket Perëndisë" (Mateu 22:21). Ne i kemi një detyrim qeverisë sonë për rrugët që përdorim, shkollat ku shkojnë fëmijët tanë, zbatimin e ligjit që na mban të sigurt, dhe shërbime të tjera që ajo siguron. Ne i kemi një borxh Perëndisë për vetë ekzistencën tonë dhe mundësitë e përjetshme. Ne i shlyejmë këto borxhe me mënyra të ndryshme dhe duhet të respektojmë të dy kreditorët tanë me qëllim që të jemi të denjë për bekimet që gëzojmë në këtë jetë dhe ato që na janë premtuar në jetën që do të vijë.

Asnjanësia Politike dhe Qytetaria

Edhe pse besojmë te mbajtja e një qëndrimi në çështje morale, si Kishë ne qëndrojmë asnjanës në çështje të partive politike në të gjitha kombet e shumta ku është vendosur besimi ynë. Udhëheqësit e Kishës nuk diktojnë se për cilin kandidat duhet të votojnë anëtarët e tyre – ose kundër – edhe nëse një kandidat nuk është dakord me një pozicion të deklaruar publikisht të Kishës. Anëtarët e Kishës janë të lirë ta rreshtojnë veten me cilëndo parti ose Be Accepting Of Your Community organizatë politike që ata zgjedhin, sipas asaj që u dikton vetë ndërgjegjja e tyre.

Përveç kësaj, mormonët nxiten të jenë të edukuar lidhur me çështje politike. Kjo nuk është gjithmonë e lehtë. Disa çështje ne i ndiejmë aq thellë ose janë kaq të papajtueshme saqë mund të jetë shumë e vështirë të respektosh të drejtën e tjetrit për një opinion të ndryshëm. Por Zoti na tregon në Librin e Mormonit se “[shpirti i] grindjes nuk është i imi, por është i djallit i cili është ati i grindjes dhe ai nxit zemrat e njerëzve që të grinden me zemërim me njëri-tjetrin" (3 Nefi 11:29).

Veprues për Veten Tonë

Ndonjëherë, nëse një zyrtar i zgjedhur është anëtar i një feje ose organizate tjetër me besime të deklaruara qartë, ka një ankth midis disave se ai ose ajo do të bëjë gjithçka që dikton ai besim apo organizatë. Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme i qëndron idesë se kisha dhe shteti janë entitete të veçanta. Ne besojmë se autoriteti fetar nuk duhet të ndërhyjë në çështje politike dhe se zyrtarët e zgjedhur ose nëpunësit civilë janë plotësisht të lirë të kryejnë detyrat e tyre. Nëse ka pasur ndonjë sjellje nga mormonët që shkon kundër këtyre parimeve, ajo ka qenë në shkelje të parimeve dhe politikës zyrtare të Kishës.

Zoti u ka “dhënë fëmijëve të njerëzve që të jenë veprues për veten e tyre" (Doktrina e Besëlidhje 104:17). Zyrtarë të zgjedhur dhe nëpunës civilë që janë mormonë, marrin vendimet e tyre dhe mund të mos jenë domosdoshmërisht në përputhje me pozicionet të deklaruara publikisht të Kishës. Kisha mund t’u komunikojë atyre pikëpamjet e saj, siç mund të bëjë me cilindo udhëheqës tjetër, por ajo njeh se këta burra dhe gra duhet të bëjnë zgjedhjet e tyre bazuar në gjykimin e tyre më të mirë dhe duke marrë parasysh njerëzit që ata përfaqësojnë.