mormon.org Në mbarë botën

Rivendosja e
Kishës së Jezu Krishtit

Krishti Organizoi Kishën e Tij në Tokë

“Unë jam udha, e vërteta dhe jeta" (Gjoni 14:6) u tha Krishti ndjekësve të Tij gjatë shërbesës së Tij të shkurtër por të fuqishme në tokë. Ishte një mesazh në kohë dhe i nevojshëm pasi disa qindra vjet përpara lindjes së Tij, shumë njerëz patën ndaluar së jetuari sipas urdhërimeve të Perëndisë. Krishti riktheu dritën në botë kur Ai shpalli ungjillin e Tij njësoj siç ua kishte shpallur profetëve të lashtë si Abrahamit, Isakut dhe Moisiut. Ai zgjodhi dymbëdhjetë burra që të ishin apostujt e Tij – përfshirë Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin – dhe i vendosi duart e Tij mbi kokat e tyre për t’u dhënë autoritetin që të kryenin pagëzime, të drejtonin kishën e Tij dhe të përhapnin fjalën e Tij kudo në botë.

Me gjithë ndikimin e Tij të madh dhe mrekullitë e shumta, Ai përfundimisht u kundërshtua dhe u kryqëzua. Pas vdekjes së Tij, apostujt e Tij të guximshëm dhe besnikë vazhduan pa Të, duke pagëzuar anëtarë të rinj dhe duke krijuar bashkësi të ndryshme.

Epokat e Errëta të Krishterimit

Pavarësisht nga përpjekjet e guximshme të apostujve të Krishtit dhe ndjekësve të tyre besnikë, kisha e hershme që Krishti rivendosi filloi të mpaket. Anëtarët u përballën me përndjekje të egër dhe të gjithë përveç njërit nga apostujt, u martirizuan. Kjo është një periudhë që quhet Braktisja e Madhe, kur kishte një “rënie" (2 Thesalonikasve 2:1–3) nga ungjilli që organizoi Krishti. Autoriteti apostolik për të dhënë çelësat e priftërisë dhe për të marrë zbulesë për Kishën humbi së bashku me shumë mësime të çmueshme. Gabime rreth mësimeve të Tij depërtuan në kishë duke çuar në opinione kundërshtuese dhe të vërteta të humbura. Kjo periudhë është ajo që ne e quajmë Braktisja e Madhe.

Pa autoritet ose drejtim hyjnor, krishterimi u përpoq të mbijetonte me opinione kundërshtuese edhe mbi mësimet më themelore të ungjillit. Pa autoritet priftërie ose ungjillin e plotë, njerëzit duhej të mbështeteshin te urtësia njerëzore për të interpretuar shkrimet e shenjta, parimet dhe ordinancat. Shumë ide të rreme jepeshin mësim si të vërteta dhe shumë nga ajo që dimë mbi karakterin dhe natyrën e vërtetë të Perëndisë, Atit, Birit të Tij, Jezu Krishtit, dhe Frymës së Shenjtë, humbi. Doktrina themelore si besimi, pendimi, pagëzimi dhe dhurata e Frymës së Shenjtë u shtrembëruan dhe doktrina të rëndësishme humbën tërësisht.

Shekuj më vonë, njerëz të frymëzuar, të tillë si Martin Luteri dhe Xhon Kalvini pranuan se praktikat dhe doktrinat qenë ndryshuar ose humbur dhe u përpoqën të reformonin kishat të cilave u përkisnin. Por pa autoritetin e apostujve të Zotit Jezu Krisht, ungjilli dhe Kisha e Tij nuk mund të riktheheshin në formën e tyre të hershme.

Perëndia e Rivendosi Kishën e Krishtit nëpërmjet Jozef Smithit

Nëse njëri nga djemtë e lagjes do të na thoshte se qe thirrur nga Perëndia që të rivendoste kishën e Tij të vërtetë në tokë, a do ta besonim? Ndoshta jo. As nuk e besuan shumë njerëz në Nazaret se fqinji i tyre, Jezu Krishti marangozi, ishte Mesia.

Pas shekujsh pështjellimi shpirtëror, njerëzit ishin në një nevojë të dëshpëruar për të vërtetat e hershme të Jezu Krishtit. Kur Perëndia zgjodhi një djalë 14-vjeçar në 1820-ën si lajmëtar të Tij, shumë njerëz kundërshtuan të mbanin vesh. Jozef Smithi jetonte në Shtetet e Bashkuara, i cili ishte i vetmi vend që shpallte liri fetare në atë kohë. Familja e tij ishte thellësisht fetare dhe vazhdimisht kërkonte të vërtetën.

Jozefit iu desh të vendosë se cilës nga fetë e krishtera t’i bashkohej. Pas një studimi të kujdesshëm, Jozef Smithi përsëri ndihej i turbullt lidhur me atë se cilës kishe të krishterë duhej t’i bashkohej. Ai më vonë shkroi: “Kaq e madhe ishte ngatërresa dhe grindja midis zotërimeve të ndryshme, sa ishte e pamundur për një njeri, të ri si unë . . . të arrija në njëfarë përfundimi se kush kishte të drejtë dhe kush ishte gabim. . . . Në mes të kësaj lufte fjalësh dhe ngatërrese opinionesh, unë shpesh thashë me vete: Çfarë duhet të bëhet? Cili nga të gjitha grupet ka të drejtë; ose, a janë që të gjithë së bashku gabim? Në qoftë se ndonjëri prej tyre kishte të drejtë, cili është ai dhe si do ta njoh unë atë?" (Joseph Smith –Historia 1:8, 10).

Ai iu drejtua Biblës për drejtim. Ai lexoi: “Por në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia, që u jep të gjithëve pa kursim, pa qortuar, dhe atij do t’i jepet" (Jakobi 1:5). Me besim të thjeshtë ai vendosi të bënte pikërisht atë. Në pranverën e 1820-s, ai shkoi te një korie drurësh në afërsi dhe u gjunjëzua në lutje. Ai e përshkroi përvojën e tij: “Unë pashë një shtyllë drite tamam mbi kokën time, më e shkëlqyeshme se dielli, e cila zbriti gradualisht derisa ra mbi mua. . . Kur drita pushoi mbi mua, unë pashë dy Personazhe, shkëlqimi dhe lavdia e të cilëve i kapërcejnë të gjitha përshkrimet, duke qëndruar mbi mua në ajër. Një prej tyre më foli, duke më thirrur në emër dhe tha, duke treguar tjetrin – Ky është Biri Im i Dashur. Dëgjoje Atë!" (Joseph Smith–Historia 1:16–17). Në vegimin e tij Perëndia, Ati, dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, u shfaqën. Shpëtimtari i tha Jozefit të mos bashkohej me asnjë nga kishat. Edhe pse shumë njerëz të mirë në atë kohë besonin në Krisht dhe përpiqeshin ta kuptonin dhe ta jepnin mësim ungjillin e Tij, ata nuk e kishin plotësinë e së vërtetës ose autoritetin që të pagëzonin dhe kryenin ordinanca të tjera shpëtuese. Ky vegim shënoi fillimin e Rivendosjes së Kishës së Jezu Krishtit në tokë, që Perëndia e autorizoi të krijohej 10 vjet më vonë nga një Jozef Smith më i urtë, i mësuar nga qielli, duke mundësuar edhe një herë cilindo që të marrë gëzimin dhe bekimet që vijnë nga të jetuarit e saj.

Mësoni më Shumë rreth Jozef Smithit

Autoriteti për të Udhëhequr Kishën e Tij të Rivendosur

Çfarë do të thotë në të vërtetë të kesh autoritet hyjnor? Autoriteti për të vepruar në emër të Perëndisë quhet priftëri. Disa mendojnë gabimisht se ai të jep fuqi t’u tregosh njerëzve të tjerë çfarë të bëjnë. Çka ai do të thotë është në të vërtetë se një person mund të veprojë në emër të Perëndisë, në emër të kishës së Tij – ashtu në rastin kur ne i japim dikujt një prokurë që ai të mund të veprojë në emër të tij.

Përpara organizimit të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, Jozef Smithi e mori autoritetin e priftërisë nga duart e Gjon Pagëzorit, Pjetrit, Jakobit dhe Gjonit që morën po atë “fuqi dhe autoritet" nga Jezu Krishti Vetë (Lluka 9:1). Këta burra u shfaqën si engjëj dhe i dhanë priftërinë Jozef Smithit. Profeti sot, Tomas S. Monson, është pasardhësi i autorizuar i Jozef Smithit. Ai dhe Apostuj të tjerë të Kishës e gjurmojnë pas autoritetin e tyre të priftërisë deri te Jezu Krishti, në një zinxhir të pashkëputur shugurimesh.

Libri i Mormonit

Libri i Mormonit dëshmon se Jezu Krishti jetoi vërtet në tokë dhe ende jeton sot si Shpëtimtari ynë hyjnor. Ai është një dëshmi e dytë që vërteton ekzistencën e Jezu Krishtit dhe të vërtetën e Biblës. Tregimi i prejardhjes së tij është po aq mrekulli sa edhe ngjarjet e tjera që lidhen me rivendosjen e Kishës.

Në vitin 1823 Jozef Smithi u vizitua nga një lajmëtar qiellor i quajtur Moroni, njësoj siç engjëjt iu shfaqen shpesh Apostujve në Dhiatën e Re. Moroni i tregoi Jozefit rreth një anali të banorëve të lashtë të kontinentit amerikan që ishte groposur në një kodër në afërsi. Ai tha se përmbante plotësinë e ungjillit të Jezu Krishtit dhe ishte shkruar në fletë të holla prej ari. Jozefi e përktheu librin në anglisht. Libri u quajt Libri i Mormonit sipas Mormonit, profetit të lashtë që e kishte hartuar.

I përkthyer dhe i shkruar me të njëjtin stil shkrimi të shenjtë të Biblës së Shenjtë, Libri i Mormonit na tregon mbi përpjekjet e njerëzve të drejtë të asaj kohe të cilët përpiqeshin të jetonin urdhërimet e Perëndisë. Njësoj siç ndodh ndonjëherë sot, ata shpesh talleshin dhe përndiqeshin për bindjet e tyre. Një pjesë veçanërisht frymëzuese e librit tregon vizitën e Krishtit në kontinentin amerikan shpejt pas ringjalljes së Tij. Ai i ftoi njerëzit të preknin shenjat e plagëve në duart, këmbët dhe ijët e Tij. Ai i bekoi dhe i shëroi ata, kreu mrekulli dhe u dha dymbëdhjetë burrave të njëjtin autoritet si dymbëdhjetë apostujve të Tij, veprat e të cilëve janë shënuar në Bibël. Efekti i vizitës së Tij ishte aq i thellë saqë për rreth 170 vite njerëzit jetuan në paqe dhe drejtësi.

Mësoni më Shumë rreth Librit të Mormonit

Perëndia është Ati Juaj i Dashur Qiellor

E vërteta qendrore e kishës së rivendosur është se Perëndia është Ati ynë Qiellor dhe ne jemi fëmijët e Tij shpirtërorë. Ai na njeh personalisht dhe na do më tepër nga sa mund ta kuptojmë. Ai do që të jemi të suksesshëm në këtë jetë dhe të kthehemi të jetojmë me Të. Jeta jonë në tokë është pjesë e planit të Tij për ne që të marrim një trup, të mësojmë, të rritemi dhe të gjejmë gëzim. Ndonjëherë jeta është e vështirë, e vetmuar ose e frikshme, por Ati Qiellor është kurdoherë i shqetësuar për ju. Në përgjigje të lutjeve tuaja, Ai është gati t’ju japë ngushëllim, paqe dhe drejtim.

Ai përgatiti një udhë që ne ta ndjekim e cila do ta bekojë jetën tonë. Kjo udhë është e domosdoshme për ne që të kthehemi tek Ai. Kjo do të na mundësojë të marrim plotësinë e efekteve të sakrificës shlyese të Krishtit. Kur e bëjmë këtë, ne do të gjejmë paqe dhe gëzim më të madh edhe në këtë jetë edhe në jetën që do të vijë.

Familjet janë jetike në Planin e Perëndisë

Mundet të qemë rritur në një familje të lumtur dhe të sigurt me dy prindër të dashur. Mundet të mos qemë dhe rritja ishte e ashpër pa dashurinë dhe mbështetjen që e dëshironim fort. Po kështu, si të rritur ne duam një shtëpi të lumtur.

Të jetuarit paqësisht në familje nuk është gjithmonë i lehtë, por në kishën e rivendosur të Perëndisë martesa dhe familjet besohet të jenë njësia më e rëndësishme shoqërore tani dhe në përjetësi. Perëndia do që ne të bëjmë gjithçka që mundemi tani dhe ta përgatitim veten që të jetojmë me familjen tonë përgjithmonë. Nëse e ndërtojmë martesën dhe familjen tonë rreth parimeve të Krishtit duke përfshirë besimin, lutjen, pendimin, faljen, respektin, dashurinë, dhembshurinë, punën dhe argëtimin e shëndoshë, shtëpia mund të jetë një vend strehimi, paqeje dhe gëzimi pa fund.

Ne nuk duhet të shkurajohemi. Pavarësisht se sa fort përpiqemi, martesa dhe shtëpia jonë nuk do të jenë të përsosura. Ajo është pjesë e procesit të rritjes që ne duhet ta përjetojmë. Perëndia do që ne të mësojmë si të jemi të durueshëm dhe të dashur kur bashkëshorti/ja jonë, fëmija i vogël ose adoleshenti veprojnë vetëm si tepër njerëzorë. Puna jonë është që t’u shërbejmë atyre, të cilët nga ana tjetër do të na ndihmojë të bëhemi më shumë si Perëndia.

Mësoni më Shumë rreth Forcimit të Familjes

Si Na Flet Perëndia Sot

Ai gjithashtu na jep drejtim nëpërmjet profetëve të Tij që kanë autoritetin të flasin dhe të veprojnë në emrin e Tij. Gjatë gjithë historisë, profetë të guximshëm si Noeu, Abrahami, Moisiu, Pjetri, Gjon Pagëzori, Apostulli Pal dhe shumë të tjerë dhanë dëshmi të zjarrta mbi Krishtin për të na ndihmuar që besimi ynë për Të të rritet.

Kur Jozef Smithi u martirizua tragjikisht në Karthixh të Ilinoisit, në 1844-ën, udhëheqja e Kishës së rivendosur i kaloi Brigam Jangut, i cili ishte apostulli më i vjetër në atë kohë. Ai e udhëhoqi Kishën nën drejtimin e Krishtit për 33 vitet e tjera – duke udhëhequr grupin e parë të pionierëve nëpër fushat e Luginës së Solt-Lejkut në 1847-ën. Ai mbikëqyri imigrimin e mbi 70.000 njerëzve të tjerë nga SHBA-ja dhe Europa dhe themeloi mbi 350 vendbanime në SHBA-në perëndimore, Kanada dhe Meksikë.

Seria e profetëve vijon sot me profetin dhe Presidentin tonë të tanishëm të Kishës, Tomas S. Monson. Ai ndihmohet nga dy këshilltarë, Henri B. Ajring dhe Diter F. Uhtdorf. Së bashku, ata formojnë Presidencën e Parë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme (ashtu si Pjetri, Jakobi dhe Gjoni në kohën e Krishtit). Ashtu si Perëndia, nëpërmjet profetit Moisi, i nxori izraelitët nga skllavëria për te një vend më i mirë, Ai na udhëheq për një jetë më të lumtur, më paqësore kur ne zgjedhim ta ndjekim Jezu Krishtin duke ndjekur profetin e Tij të gjallë. Ne të gjithë ftohemi të lexojmë ose të mbajmë vesh fjalët e profetëve të gjallë dhe të mendojmë se si njohja e vullnetit të Perëndisë mund t’i sjellë dobi jetës sonë.