mormon.org Në mbarë botën

Punë Misionare

Një Kishë Misionare

Përfytyroni se keni gjetur një kurë për kancerin. Me sa ngut do ta përhapnit lajmin për zbulimin tuaj? Cilit do t’i tregonit? Ungjilli i Jezu Krishtit është kura për kaq shumë sëmundje të jetës saqë mormonët duan ta ndajnë lajmin e mirë të jetës së përjetshme me të njëjtën ngutësi.

Kisha e Zotit ka qenë gjithmonë një kishë misionare. Jeta e Jezu Krishtit ishte shembulli i përkryer i punës misionare. Gjatë shërbesës së Tij në tokë, Ai e dha mësim ungjillin në të gjitha kohët, në të gjitha vendet dhe për të gjithë njerëzit. Jezusi u dha mësim njerëzve të arsimuar në tempull, mëkatarëve, besnikëve dhe mosbesuesve. Ai gjithashtu thirri apostuj dhe dishepuj të tjerë të predikonin ungjillin, kështu që të dëgjonin më shumë njerëz rreth bekimeve të ungjillit të Tij. Shumë nga predikimet e tyre gjatë jetës së Krishtit ishin për vetë njerëzit e tyre, hebrenjtë. Pasi Jezusi u ringjall, Ai i vizitoi Apostujt e Tij dhe i dërgoi ata t’u predikonin johebrenjve. Ai i urdhëroi ata: “Dilni në mbarë botën dhe i predikoni ungjillin çdo krijese" (Marku 16:15).

Përse Mormonët Dërgojnë Misionarë nëpër Botë

Që mormonët bëjnë punë misionare, është një nga karakteristikat më të njohura të Kishës. Pikërisht tani, dhjetëra mijëra misionarë po ecin, ngasin makinat ose biçikletat e tyre nëpër botë, duke dhënë kopje të Librit të Mormonit dhe duke ndarë ungjillin me njerëzit që takojnë. Përse këta njerëz, shumica prej tyre nën moshën 25 vjeç, dalin vullnetarë për të lënë shtëpitë e tyre me shpenzimet e veta dhe i përkushtojnë një periudhë të jetës së tyre predikimit të ungjillit të Jezu Krishtit?

Zoti tha: “[Shpalle] ungjillin tim nga një tokë në tjetrën dhe nga një qytet në tjetrin … jep dëshmi në çdo vend, çdo populli" (Doktrina e Besëlidhje 66:5,7). Ne e fusim në zemër këtë urdhërim dhe kërkojmë mundësi që të ndajmë bekimet që kemi marrë nga të jetuarit e ungjillit me cilindo që mundemi. Jezusi na mësoi: “Kush nuk ka lindur nga uji dhe nga Fryma, nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë" (Gjoni 3:5). Duke ditur se disa ordinanca si pagëzimi janë të nevojshme që ne të kthehemi të jetojmë me Atin tonë Qiellor, ne ndiejmë një nevojë urgjente ta ndajmë këtë bekim me këdo që mundemi. Interesi ynë i parë si Kishë – është që sa më shumë nga fëmijët e njerëzve që mundet, të shpëtohen dhe të ekzaltohen. Ndërsa punojmë për shpëtimin tonë, ne duam t’i ndihmojmë ata përreth nesh të bëjnë të njëjtën gjë. Ngaqë jemi të gjithë bij dhe bija të Atit tonë Qiellor, sa më shumë prej nesh janë të aftë të mësojnë dhe mbajnë urdhërimet e Tij dhe të gëzojnë jetë të përjetshme, aq më të lumtur do të jemi të gjithë ne.

Çfarë Bëjnë Misionarët

Shumica e misionarëve të Kishës janë rreth moshës njëzet vjeç, megjithëse shumë anëtarë dalin vullnetarë për të shërbyer pasi kanë dalë në pension. Të gjithë misionarët e ardhshëm paraqesin kërkesa në selinë e Kishës dhe marrin një thirrje për një mision të veçantë nëpër botë. Ata kalojnë disa javë në një qendër trajnimi ku disa prej tyre mësojnë një gjuhë të re dhe të gjithë studiojnë dhe praktikojnë me disiplinë të fortë mësimdhënien e ungjillit. Mandej ata dërgohen në vendet e caktuara të tyre dhe fillojnë shërbimin e tyre. Jeta e misionarëve i kushtohet tërësisht ndarjes së ungjillit të Jezu Krishtit. Ata paguajnë udhëtimin e vet dhe i shtyjnë për më vonë shkollën, takimet e dashurisë dhe punën për dy vjet, me qëllim që të përqendrohen tërësisht në bërjen e punës së Zotit.

Një mëngjes i zakonshëm për një misionar është zgjimi në 6:30, studimi i shkrimeve të shenjta dhe takimi me njerëz të rinj për të ndarë ungjillin. Pasditja mund të përfshijë diskutimin e mësimeve të ungjillit me njerëz që takojnë dhe ofrimin vullnetar për shërbim në komunitet. Një natë e mirë i gjen ata duke u dhënë mësim ungjillin individëve të interesuar dhe duke i ndihmuar të mësojnë dhe mbajnë urdhërimet e Perëndisë, ose duke marrë pjesë në një shërbim pagëzimi për dikë që ka vendosur t’i bashkohet Kishës. Ata kthehen në shtëpi rreth orës 9:30 të mbrëmjes dhe bien në shtrat, zakonisht të rraskapitur dhe të lumtur.

Çdo Anëtar një Misionar

Nuk janë vetëm misionarët kohëplotë që e shpërndajnë ungjillin. Ngaqë ne besojmë se ungjilli i Jezu Krishtit është udha për te lumturia e vërtetë, ne duam t’u tregojmë rreth saj sa më shumë që mundemi prej miqve dhe familjeve tona. Ne besojmë, siç jep mësim Pjetri në Dhiatën e Re, se ne duhet

Sigurisht dëshmia më bindëse është jeta e mirë, e lumtur e një personi që jeton sipas mësimeve të Krishtit, por ne ndiejmë gjithashtu se ndarja e përvojave tona individuale me të tjerët është një mënyrë e shkëlqyer për t’i ftuar ata të dinë më shumë rreth Jezu Krishtit.

Ndarja e ungjillit nuk është gjithnjë e lehtë, sidoqoftë. Shumë prej nesh kanë frikë mos ofendojnë miqtë tanë, mos duken shtrëngues ose mos thonë diçka që mund të keqinterpretohet. Ne marrim kurajë dhe përpiqemi me më të mirën të gjejmë një mënyrë për të folur se sa shumë rëndësi ka ungjilli për ne ndërsa respektojmë besimet dhe zgjedhjet e të tjerëve. Ne ngazëllehemi kur miq ndajnë gëzimet e të jetuarit të ungjillit. Kjo mund të ndodhë duke marrë pjesë në mbledhje dhe veprimtari të Kishës gjatë javës dhe duke u takuar me misionarë për të folur rreth asaj se si ungjilli mund ta bekojë jetën e tyre. Nëse doni ta bëni të lumtur një mormon, pyesni nëse mund ta vizitoni Kishën e tyre. Sidoqoftë, ne i duam miqtë tanë edhe kur i pranojnë mësimet e Kishës sonë edhe kur nuk i pranojnë.

Shërbimi i Misioneve të Krishtera

Misionarët ndajnë një gjë dhe vetëm një gjë – ungjillin e Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit. Si Nefi, “Ne flasim për Krishtin, ne gëzohemi në Krishtin, ne predikojmë për Krishtin, ne profetizojmë mbi Krishtin dhe shkruajmë sipas profecive tona, që fëmijët tanë të mund të dinë se cilit burim t’i drejtohen për heqjen e mëkateve të tyre" (2 Nefi 25:26). Mund të duket e çuditshme të përqendrosh kaq shumë nga jeta jonë te Jezu Krishti, por urtësia e ungjillit zbatohet në çdo gjë, që nga qëllimi i jetës deri tek ajo se si i qasemi punës sonë, si lidhemi me të tjerë, madje se si kujdesemi për trupin tonë. Mësimet e Jezu Krishtit kanë më shumë fuqi të sjellin lumturi të përhershme sesa të gjitha sukseset dhe kënaqësitë që mund të ofrojë bota. Çdo mesazh që ndajnë misionarët mormonë, rrotullohet rreth Atij dhe se si Shlyerja dhe ordinancat e Tij na mundësojnë të kthehemi të jetojmë me Atin tonë në Qiell dhe familjet tona në qiell.

Misionarë në Mbarë Botën

84.000 misionarë janë duke shërbyer aktualisht në 405 misione në mbarë botën. Ata kthejnë në besim në çdo vend ku qeveria dhe klima politike e lejon. Shumë misionarë arrijnë t’i duan aq shumë zonat ku shërbejnë, saqë e kanë më të vështirë të kthehen në shtëpi pasi misioni i tyre mbaron sesa e kishin që të largoheshin fillimisht nga vendi i tyre. Ata kthehen në shtëpi si ambasadorë të informuar të kombeve dhe kulturave ku shërbyen.