mormon.org Në mbarë botën

Ndihma ndaj të Tjerëve

Ne të Gjithë Mund të Ndihmojmë

Jezu Krishti tha, “Askush s’ka dashuri më të madhe nga kjo: të japë jetën e vet për miqtë e tij" (Gjoni 15:13). Kjo nuk do të thotë se ne duhet të vdesim për ta treguar dashurinë për miqtë tanë. Ne e sakrifikojmë jetën tonë sa herë që vëmë nevojat e dikujt tjetër përpara tonave. (Dhe “miqtë" e përmendur në shkrimin e shenjtë më sipër mund të kuptohet të jetë kushdo që takojmë, gjersa Jezusi gjithashtu na urdhëroi ta “[duam] njëri-tjetrin".)

Ne e sakrifikojmë jetën tonë nëpërmjet shërbimit. Anëtarët e Kishës kanë shumë mundësi për të shërbyer. Ne mund të bëjmë veprime të thjeshta mirësie për fqinjët tanë, të marrim pjesë në shërbim komuniteti, të plotësojmë përgjegjësi brenda bashkësisë sonë apo të ndihmojmë në përpjekjet humanitare të Kishës në shkallë të gjerë. Këto veprime, qofshin të mëdha ose të vogla, na bëjnë të ndiejmë lumturinë e lidhjes sonë me vëllezërit e motrat tona dhe na kujtojnë se Perëndia shpesh na lejon të jemi përgjigjja për lutjen e dikujt tjetër.

Qëllimi për të Ndihmuar të Tjerët

Një çift fqinj doli për të ndihmuar kur pa një nënë të vetme që po transferohej në shtëpinë e vogël ngjitur. Ata përfunduan duke e kaluar të gjithë të shtunën e tyre duke mbartur arka, duke pastruar dysheme dhe duke argëtuar dy fëmijët e vegjël të gruas. Kur ishte mbaruar e gjithë puna, nëna i ftoi fqinjët e saj të rinj për darkë për javën në vijim për t’u shfaqur vlerësimin e saj. Në fillim ata kundërshtuan pasi ishte e qartë se ajo nuk kishte shumë për të kursyer, por ajo këmbënguli me lotët që i rridhnin nga sytë. Çifti kuptoi se pranimi i mikpritjes së saj do të bënte më shumë për të nxitur një ndjenjë miqësie dhe respekti nga sa mund të bënte mirësjellja e tyre shumë dashamirëse.

Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme jep mësim se, ngaqë gjithçka që kemi vjen nga Perëndia, ne duhet të jemi të gatshëm ta ndajmë të gjithën – nga zotërimet dhe paratë tona deri te koha dhe talentet tona – me qëllim që t’i ndihmojmë të tjerët në nevojë. (Dhe është e rëndësishme të kujtojmë se të gjithë jemi nevojtarë në një mënyrë apo një tjetër.) Kur u shërbejmë të tjerëve, neve na kujtohet se asgjë në këtë jetë nuk zgjat aq sa lidhjet që krijojmë me njerëzit e tjerë, dhe se nuk ka mënyrë më të mirë për ta lidhur veten me të tjerët sesa duke punuar së bashku për të mirën tonë të përbashkët. Spenser W. Kimball, një profet i mëparshëm, shpjegoi: “Perëndia na shikon dhe kujdeset për ne. Por zakonisht është nëpërmjet një personi tjetër që ai i plotëson nevojat tona" (“The Abundant Life", Tambuli, qershor 1979, f. 3). Perëndia ka fuqi ta bëjë punën e Tij Vetë, por Ai na lejon ta ndihmojmë për shkak të ndjenjës së mrekullueshme që marrim kur shërbejmë.

Si Mund t’i Ndihmojmë Të Tjerët

Mendoni për dikë që duket të jetë tërësisht i mbështetur te vetja – dikë që ka një punë të mirë, një shtëpi të bukur dhe është në përgjithësi i lumtur. A mundemi t’i ofrojmë prapëseprapë shërbim këtij individi? A nevojitet ta bëjmë, gjersa ata nuk duket të kenë nevojë për ndonjë ndihmë? Ungjilli i Jezu Krishtit na mëson se cilido përfiton kur kryen shërbim dhe kur i shërbejnë të tjerët. Shërbimi nuk është vetëm për plotësimin e një nevoje, por është edhe për t’u treguar dashuri vëllezërve dhe motrave tona.

Një person do të ndiente një presion shumë të rëndë që ta quante veten të krishterë pa ndier një detyrim dhe dëshirë të thellë për t’u shërbyer bashkëqenieve njerëzore të tij. Jezu Krishti na mësoi ta “[duam] njëri-tjetrin" kur Ai ishte në tokë, dhe Ai tha gjithashtu: “Prej kësaj do t’ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin" (Gjoni 13:35). Mënyra për ta shfaqur dashurinë tonë për Perëndinë është që t’i shërbejmë njëri-tjetrit. Fatmirësisht, mënyrat e ndryshme se si mund t’i mbajmë barrët e njëri-tjetrit, janë thuajse pa fund. Mendoni për gjithë ndihmën financiare, emocionale, fizike dhe shpirtërore që mund t’u ofrojmë të tjerëve. Mendoni për vetë talentet tuaja. Ndoshta jeni i mirë me numrat, jeni shumë krijues, nuk inatoseni lehtësisht – sido që të jetë puna. Mendoni sa shumë rëndësi kanë ato talente kur i ndani me dikë që ka nevojë për fushën tuaj të veçantë të njohurive. Edhe gjërat e vogla që bëjmë, si të ndihmuarit e dikujt në kopshtin e tij ose mbajtja hapur e një dere, mund ta bëjë jetën pak më të lehtë për dikë tjetër. Një personi nuk i duhet të vështrojë larg për të gjetur mundësi për të dhënë kohën dhe energjinë e tij. Bukuria e ndjekjes së shembullit të Krishtit është se ne nuk kemi nevojë të vlerësojmë cili, kur ose si të shërbejmë, ne thjesht veprojmë. Shërbimi mund të jetë i planifikuar ose i vetvetishëm, për dikë që e njohim ose për një të huaj. Shërbimi i krishterë e shmang famën, nuk pranon shpërblim dhe shtysa e tij e vetme është dashuria.

Mundësi Për Të Ndihmuar Ata Në Nevojë

Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme mban në punë një mori qendrash depozitimi, fabrikash konservimi dhe pajisjesh përpunimi që ofrojnë një shumëllojshmëri mundësish për punë vullnetare dhe shërbimi.

  • Udha e Bashkuar është një rrjet mbarëbotëror që çon përpara të mirën e përbashkët dhe krijon mundësi për një jetë më të mirë për të gjithë, duke u përqendruar në tri pikat kyçe lartësuese arsim, të ardhura dhe shëndet. JETONI TË BASHKUAR është një thirrje për veprim, për cilindo, që të bëhet pjesë e ndryshimit. Për mundësi shërbimi dhe vullnetare të siguruara nëpërmjet The United Way [Udhës së Bashkuar] në zonën tuaj, ju lutemi shkoni te:

    www.liveunited.org

  • Përveç ndihmës së brendshme për ndihmesë në fatkeqësi, Kryqi i Kuq Amerikan ofron shërbime të dhembshura në pesë fusha të tjera: shërbime komunitare që ndihmojnë nevojtarët; mbështetje dhe ngushëllim për anëtarë ushtarakë dhe familjet e tyre; grumbullimin, përpunimin dhe shpërndarjen e gjakut dhe të produkteve të gjakut që shpëtojnë jetë; programe arsimimi që nxisin shëndetin dhe sigurinë, dhe programe ndërkombëtare për ndihmë dhe zhvillim. Për mundësi vullnetare të siguruara nga Kryqi i Kuq Amerikan në zonën tuaj, ju lutemi shkoni te:

    www.redcross.org

  • A po kërkoni mënyra për t’i shërbyer komunitetit tuaj? Gjithçka për të Mirën e bën të thjeshtë të gjesh dhe të japësh veprimtari vullnetare me miqtë dhe familjen. Frymëzuar nga thirrja e Presidentit të Shteteve të Bashkuara për të angazhuar më shumë amerikanë në shërbim, një grup individësh nga teknologjia, marketingu e sektorët publikë u bashkuan për të krijuar një program burimesh të hapura që ju mundëson të gjeni dhe të jepni veprimtari vullnetare. Për të gjetur mundësi shërbimi dhe vullnetare në zonën tuaj, ju lutemi shkoni te:

    www.allforgood.org

Jezu Krishti Vendosi Shembullin e Përkryer për të Ndihmuar të Tjerët

Pas darkës së Tij të fundit këtu në tokë, Jezu Krishti u ul me dishepujt e Tij, duke e ditur se jeta e Tij e vdekshme do të merrej së shpejti. Ai e dinte se do të vuante për mëkatet e botës. Ai e dinte se një nga apostujt e Tij do ta tradhtonte Atë te turma që do ta kryqëzonte Atë. Edhe pse duhet ta ketë ndier peshën e të gjitha këtyre mendimeve të rënda, Jezu Krishti përulësisht u ul në gjunjë dhe lau këmbët e dishepujve të Tij përpara se Ai t’i linte ata. Biri i Perëndisë, i cili pati jetuar një jetë të përkryer, që kishte fuqinë për t’i shëruar të sëmurët dhe të ngrinte të vdekurit, dhe ta kthente ujin në verë, kreu këtë akt të thjeshtë dhe përulës shërbimi. Askush më i fuqishëm apo më i denjë në përkushtim nuk jetoi ndonjëherë, por Ai u gjunjëzua dhe pastroi këmbët e dishepujve të Tij. Shpëtimtari na dha shembullin e përkryer të shërbimit. Çdo minutë e shërbesës së Tij këtu në tokë u përdor në shërbim të bashkëqenieve njerëzore të Tij.

Ai e ushqeu të uriturin. Ai e shëroi të sëmurin. Ai i bekoi nevojtarët. Ai shërbeu duke dhënë mësim. Edhe kur ishte një djalë dymbëdhjetë vjeçar, ai “merre[j] me punët e Atit [të Tij]" (Lluka 2:49). Mund të jetë dërrmuese të përpiqemi të jetojmë sipas shembullit të përsosur të Krishtit për shërbimin, por ne mund të kujtojmë që edhe veprimet tona më të vogla, tregojnë vendosmërinë tonë për të qenë si Ai. Kur vizitojmë të sëmurin ose të vetmuarin, ne jemi si Jezusi. Kur i ndihmojmë fqinjët tanë të rregullojnë çatinë e tyre, kur i shërbejmë një vakt dikujt që ka nevojë, kur dhurojmë për lehtësimin e shkatërrimeve [natyrore], kur i falim ata që na fyejnë, ne po shërbejmë siç Ai do të shërbente. Të shërbyerit si Jezu Krishti ka një efekt pastrues te ne. Ai na ndihmon të kuptojmë idenë se koha, talentet dhe gjërat që kemi, nuk janë thjesht tonat.

Shërbimi në Kishë

E gjithë puna e bërë për të drejtuar bashkësitë vendore të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme bëhet vullnetarisht. Peshkopët dhe udhëheqësit e tjerë kanë profesione të veçanta dhe nuk marrin pagesë për shërbimin e tyre në Kishë. Çdo anëtari të Kishës i jepet gjithashtu mundësia të shërbejë brenda bashkësisë së tij apo të saj. Mormonët (anëtarët e Kishës) japin ndihmesë duke organizuar veprimtari për grupe të rinjsh dhe të rejash, duke dhënë mësime në Shkollën e së Dielës për fëmijët dhe të rriturit, duke drejtuar muzikën në Kishë, duke pastruar kishën, duke punuar në bibliotekë dhe në shumë mënyra të tjera. Jashtë bashkësisë vendore, disa thirren për të punuar në tempuj, të tjerë për t’i ndihmuar njerëzit të gjejnë punë, të tjerë për të shkuar në misione shërbimi e kështu me radhë. Anëtarët “thirren" në këto fusha shërbimi nga udhëheqësit e tyre vendorë, por ata mund të zgjedhin nëse duan apo jo ose nëse janë në gjendje t’i pranojnë ato. Shërbimi i Kishës nuk bëhet për t’u njohur ose vetëm nga një ndjesi detyre, por gjithashtu ngaqë anëtarët duan t’i pasurojnë njerëzit rreth tyre dhe të kthejnë diçka nga koha dhe talentet me të cilat Zoti i ka bekuar.

Përpjekjet e Kishës Për Të Ndihmuar Ata Në Nevojë

Përveç veprimeve të vogla, vetjake të shërbimit, anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme japin ndihmë të madhe të organizuar në zona në nevojë. Kisha ka dhuruar më shumë se 1 miliardë dollarë në para dhe ndihmë materiale në 167 vende të ndryshme në nevojë për ndihmë humanitare, që kur filloi t’i regjistronte në 1985-ën. Ajo dërgoi një ngarkesë ajrore me tenda, katrama, pelena dhe furnizime të tjera në zona të Kilit të goditura nga tërmeti i shkurtit të 2010-ës dhe dy aeroplanë secili me më shumë se 36.000 kilogramë ushqime dhe materiale urgjence në Haiti, në janar të 2010-ës. Organizimi vendor, kombëtar dhe ndërkombëtar i Kishës i lejon asaj t’i bashkërendojë në mënyrë të shpejtë përpjekjet për ndihma në mënyrë që ushqimi, furnizimi dhe punonjësit të mund të arrijnë kur nevojiten më shumë.

Mësoni më shumë rreth përpjekjeve tona humanitare