mormon.org Në mbarë botën

Ndihma Humanitare

Puna Vullnetare

Njerëzve u pëlqen të flasin rreth mënyrës se si kanë nevojë "të gjejnë" vetveten. Kjo zakonisht do të thotë se ata nuk janë të lumtur, u mungon drejtimi dhe janë të përqendruar së pari te vetvetja. Në mënyrë interesante, Krishti tha se mënyra për ta gjetur vetveten ishte duke e humbur vetveten: Sepse ai që don të shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do të humbasë jetën e vet për hirin tim e për ungjillin, do të shpëtojë" (Marku 8:35). Humbja e vetvetes në shërbim është një mënyrë e mrekullueshme për ta gjetur vetveten. Ajo na lejon të praktikojmë të bëjmë atë që Jezusi bëri. Ai na mësoi se të duam Perëndinë ishte urdhërimi i parë dhe të duam fqinjin ishte i dyti. Ne e tregojmë dashurinë tonë për Perëndinë duke i shërbyer njëri-tjetrit. Dhe i duam ata të cilëve u shërbejmë. Shërbimi na jep një lumturi që interesimi për veten nuk do të na e japë kurrë. Ai ndodh në mënyra të mëdha dhe të vogla, në publik dhe privatisht, për miq dhe për të huaj.

Edhe gjërat e vogla që bëjmë, si ndihma ndaj dikujt në kopshtin e vet ose mbajtja hapur e një dere, mund ta bëjnë jetën pak më të lehtë për ta – dhe pak më të lumtur për ne. Nuk keni pse shihni larg për të gjetur mundësi që të jepni kohën dhe energjinë tuaj. Bukuria e ndjekjes së shembullit të Krishtit është se ne nuk kemi nevojë të vlerësojmë se cilin, kur ose si t’i shërbejmë, ne thjesht veprojmë. Mund të jetë e planifikuar ose e vetvetishme, për dikë që njohim ose një të huaj. Shërbimi i krishterë e shmang famën, nuk e pranon shpërblimin dhe nxitet nga dashuria.

Programi Ynë Humanitar

Përveç veprimeve të vogla, vetjake të shërbimit, mormonët japin ndihmë të madhe të organizuar në zona në nevojë. Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme ka dhënë më shumë se 1 miliard dollarë ndihmë financiare dhe materiale në 167 vende të ndryshme në nevojë për ndihmë humanitare qysh kur u fillua të mbahen shënim në 1985-ën. Ajo dërgoi një ngarkesë ajrore me tenda, katrama, pelena dhe furnizime të tjera në zonat e Kilit që u goditën nga tërmeti i shkurtit 2010 dhe dy aeroplanë me më shumë se 36.000 kg secili me ushqime dhe furnizime për nevoja urgjente në Haiti, në janar të 2010-ës për shkak të tërmetit shkatërrimtar atje. Organizimi vendor, kombëtar dhe ndërkombëtar i Kishës bën të mundur të bashkërendohen me shpejtësi përpjekje ndihmash në mënyrë që ushqimi, furnizimet dhe punëtorët të mund të arrijnë kur nevoja për to është më e madhe.

Kisha nuk bën dallime sipas përkatësisë fetare, kombësisë apo shtetësisë. Ne ofrojmë shpresë dhe mundësi jete që e kapërcen sëmundjen, varfërinë dhe dëshpërimin. Është e gjitha pjesë e planit të Perëndisë që ne të mbajmë barrët e njëri-tjetrit dhe të veprojmë si duart e Tij në tokë. Programi i mirëqenies i Kishës i ndihmon gjithashtu njerëzit në nevojë në nivel vendor duke ofruar ndihmë të përkohshme në formë ushqimi, veshjeje dhe në kërkimin për punësim. Përfituesve u jepet mundësia të punojnë, nëse është e mundur, në këmbim të kësaj ndihme.


Përgjigje ndaj Rasteve Emergjente

Çdo vit, miliona burra, gra dhe fëmijë goditen nga lufta, përmbytjet, tërmetet, tornadot, uraganet dhe shkatërrime të tjera. Në këto rrethana dëshpëruese, përgjigjja e shpejtë është shpesh ndryshimi midis jetës dhe vdekjes.

Për shkak të kësaj përgatitjeje, Kisha është në gjendje të përgjigjet menjëherë në kohë emergjencash. Përveç ofrimit të materialeve, Kisha ndihmon gjithashtu me fonde dhe me vullnetarë.

Programi Botëror Humanitar – Rigjallërimi i Të Porsalindurve

Deri në 10 përqind të të gjithë të porsalindurve kanë vështirësi frymëmarrjeje në lindje dhe kërkojnë një ndihmë. Me trajnim të përshtatshëm dhe pajisje minimale, shumë nga vdekjet e të porsalindurve për shkak të problemeve me frymëmarrjen mund të shmangen. Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme punon me organizata kombëtare të shëndetit dhe ministri të shëndetësisë nga vende përreth botës për të përcaktuar zona ku trajnimi për ringjalljen e të porsalindurve nevojitet më ethshëm. Kisha atëherë dërgon mjekë dhe infermierë vullnetarë për të përgatitur mamìtë në këto zona. Këto mamì vendase janë të afta mandej të trajnojnë të tjera. Deri tani janë trajnuar më shumë se 80.000 mamì.

Fruthi

Në vitin 2001, u krijua Nisma e Fruthit, një bashkëpunim që përfshinte Kryqin e Kuq Amerikan, Organizatën Botërore të Shëndetësisë të Kombeve të Bashkuara, UNICEF-in, Fondacionin e OKB-së dhe Qendrat e SHBA-së për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve. Qëllimi i saj ishte të ulte përqindjen botërore të vdekjeve nga fruthi me 90% deri në vitin 2010 – nga 873.000 vdekje në mbarë botën në 1999-n. Në vitin 2003, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme iu bashkua Nismës së Fruthit dhe dha një milion dollarë çdo vit në mbështetje të fushatës. Kisha mori pjesë gjithashtu në përpjekjen për mobilizim shoqëror që ka rëndësi për suksesin e çdo fushate. Një vjershë muzikali që mbahet mend lehtë, me kompozim të një mormoni të ri gjatë pjesëmarrjes së Kishës në fushatën e fruthit në Madagaskar, është përkthyer dhe kënduar në 28 gjuhë, në duzina radiostacionesh në fushatat pasuese. Nga 2004 deri në 2008, 59.596 anëtarë të Kishës në 32 vende dolën vullnetarë me përpjekjet e tyre për kontrollin mjekësor të lagjeve dhe duke ndihmuar në pikat e vaksinimit. Në janar 2007 kishte një ulje prej 60% të nivelit të vdekshmërisë nga fruthi në botë.

Ndihmë Humanitare - Furnizim me Ujë të Pastër

Nisma e ujit të pastër e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme synon të përmirësojë shëndetin e komuniteteve, duke siguruar mundësi për të përdorur burime të qëndrueshme uji të pastër. Në varësi nga nevojat dhe rrethanat vendore, këto burime uji përfshijnë puse (apo shpime), depo uji e sisteme shpërndarjeje dhe sisteme për pastrimin e ujit. Që nga viti 2002, Kisha ka ndihmuar pesë milionë njerëz në më tepër se 4.500 komunitete që të kenë mundësi për të përdorur burime uji të pastër. Këto projekte për ujë të pastër kanë gëzuar mbështetje afatgjatë sepse komunitetet janë përfshirë në planifikimin dhe zbatimin e tyre dhe sigurojnë shumicën e punës. Përfaqësuesit e komunitetit janë trajnuar në mirëmbajtjen e sistemit përpara përfundimit të projektit.

Ndihmë Humanitare – Të Parit& Kujdesi për Sytë

Synimi i programit për kujdesin e syve i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është që të forcojë shërbimet e kujdesit për sytë për të varfrit, duke ofruar trajnim teknik thelbësor, pajisje, furnizime dhe mbështetje organizative për të ndihmuar profesionistët dhe programet vendore të kujdesit për sytë. Duke përdorur okulistë që japin vullnetarisht nga koha e tyre, Kisha ka ndihmuar profesionistë dhe programe vendore të kujdesit për sytë që kanë ndihmuar më shumë se 180.000 individë qysh prej 2003-it.

Karrige me Rrota

Deri në 100 milion njerëz në mbarë botën mund të kenë nevojë për karrige me rrota por vetëm një në 100 mund ta blejë atë. Për të lëvizur, njerëzit me paaftësi shpesh mbështeten te familja ose miqtë që t’i çojnë nga një vend te tjetri. Mund të jetë tejet e vështirë thjesht të dalësh nga shtëpia. Shkuarja në shkollë ose fillimi i një pune mund të jenë ëndrra të pamundura. Për të ndihmuar, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme bashkëpunon me organizata komunitare që u shërbejnë të paaftëve. Partneri vendor vlerëson klientët, përshkruan një pajisje dhe vijon me terapinë dhe mbështetjen. Kisha dhuron karrige me rrota, paterica, mbështetëse për ecje, jastëkë dhe pajisje të tjera ndihmëse – ndonjëherë të blera në dyqane vendore. Kur kërkohet, ekipe terapistësh bëjnë trajnim teknik shtesë për partnerin. Qysh prej vitit 2001, Kisha ka shpërndarë më shumë se 300.000 karrige me rrota në 101 vende.

Shërbimet Tuaja Vullnetare Janë të Mirëpritura

Programet tona të Ndihmës Humanitare mbështeten në ndihmën nga njerëz të zakonshëm që duan të lehtësojnë disa nga vuajtjet në botë. Njësoj siç japim ndihmë pa diskriminuar sipas lidhjes fetare, etnike ose të shtetësisë, ne nuk diskriminojmë kur pranojmë ndihmë. Ne e mirëpresim këdo që dëshiron të ndihmojë. Ju jeni i mirëpritur të telefononi te LDS Humanitarian Services [Shërbimet Humanitare SHDM] në (801) 240-3544 ose të dërgoni një mesazh elektronik në lds-charities@ldschurch.org për më shumë informacion.