mormon.org Në mbarë botën

Jezu Krishti

Jezu Krishti, Shpëtimtari Ynë

Jezu Krishti është Shpëtimtari i botës dhe Biri i Perëndisë. Ai është Shëlbuesi ynë. Bibla e Shenjtë na mëson se nëna e Jezu Krishtit ishte Maria, babai i Tij në tokë ishte Jozefi, që Ai u lind në Bethlehem dhe u rrit në Nazaret dhe punoi me Jozefin si zdrukthëtar. Kur u bë 30 vjeç, Ai filloi një shërbesë trivjeçare mësimdhënieje, bekimi dhe shërimi të njerëzve në Tokën e Shenjtë. Ai gjithashtu organizoi Kishën e Tij dhe u dha apostujve të Tij “pushtet dhe autoritet" (Lluka 9:1) që të ndihmonin në punën e Tij.

Por çfarë nënkuptojmë kur themi që Ai është Shpëtimtari i botës? Shëlbuesi? Secili nga këto tituj thekson të vërtetën që Jezu Krishti është e vetmja udhë me anë të së cilës mund të kthehemi të jetojmë me Atin tonë Qiellor. Jezusi vuajti dhe u kryqëzua për mëkatet e botës, duke i dhënë çdo fëmije të Perëndisë dhuratën e pendimit dhe të faljes. Vetëm përmes mëshirës dhe hirit të Tij mundet gjithkush të shpëtohet. Ringjallja e Tij e mëpasshme përgatiti udhën që çdo person të mposhtë vdekjen fizike po ashtu. Këto ngjarje quhen Shlyerja. Shkurt, Jezu Krishti na shpëton nga mëkati dhe vdekja. Për këtë, ai është me gjithë kuptimin e fjalës Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë. Në të ardhmen, Jezu Krishti do të kthehet për të mbretëruar në tokë në paqe për njëmijë vjet. Jezu Krishti është Biri i Perëndisë dhe Ai do të jetë Zoti ynë përgjithmonë.

Çfarë Domethënie ka Jezu Krishti për Ne

Perëndia është Ati ynë Qiellor dhe si çdo prind, Ai do që ne, fëmijët e Tij, të jemi të lumtur. Në shkrimet e shenjta, Ai jep mësim “‘vepra ime dhe lavdia ime [është] të bëj të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut" (Moisiu 1:39). Jetë e përjetshme do të thotë të jetojmë në qiell, në praninë e Tij, me familjen tonë, përgjithmonë. Perëndia na ka dhënë urdhërime, që na mësojnë çfarë është e drejtë dhe e gabuar dhe të përcaktojmë një udhë në jetë që do të na ofrojë lumturinë më të madhe. Jezu Krishti na mësoi: “Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia" (Gjoni 14:15). Por shkrimet e shenjta na mësojnë gjithashtu se “asgjë e papastër nuk mund të jetojë me Perëndinë" (1 Nefi 10:21). Pavarësisht se sa shumë përpiqemi që të jetojmë një jetë të mirë, ne të gjithë mëkatojmë, prandaj si mund të jetojmë në mbretërinë e përsosur të Perëndisë nëse jemi të papërsosur?

Perëndia e dërgoi Jezu Krishtin në tokë që të na japë një mënyrë për të mposhtur mëkatet dhe papërsosuritë tona. “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëm lindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme." (Gjoni 3:16).

Jezu Krishti Vuajti për Ne

Madje përpara se Perëndia të krijonte botën, Ai përgatiti një plan që na mundëson të mësojmë dhe të rritemi gjatë kësaj jete. Jezu Krishti është qendra e këtij plani. Misioni i Krishtit nuk ishte vetëm të na mësonte rreth Perëndisë Atit dhe se si duhet të jetojmë, por gjithashtu të përgatiste udhën për ne që të falemi pasi mëkatojmë. Mëkati është më shumë sesa thjesht të bërit e një gabimi. Kur mëkatojmë ne nuk u bindemi urdhërimeve të Perëndisë ose dështojmë të veprojmë drejt pavarësisht njohurisë sonë për të vërtetën (Jakobi 4:17).

Përpara se të kryqëzohej, Jezusi iu lut Perëndisë në Kopshtin e Gjetsemanit në emrin tonë. Vuajtja e Krishtit për mëkatet tona në Gjetseman dhe në kryq në Kalvar quhet Shlyerje. Ai vuajti për ne kështu që ne të mund të bëhemi të pastër dhe të kthehemi të jetojmë me Atin tonë Qiellor. Ungjilli i Jezu Krishtit është “lajmi i mirë" për sakrificën e Krishtit për ne, duke na dhënë neve një udhë kthimi për tek Ati. “Kështu që, sa e madhe rëndësia që këto gjëra t’u bëhen të njohura banorëve të tokës, që ata të mund të dinë se nuk ka mish që mund të banojë në prani të Perëndisë, veçse nëpërmjet meritave dhe mëshirës dhe hirit të Mesias së Shenjtë" (2 Nefi 2:8).

Besimi te Jezu Krishti

Besimi te Jezu Krishti na udhëheq që të bëjmë vepra të mira. Bibla e Shenjtë na mëson: “Besimi pa vepra është i vdekur" (Jakobi [Bibël] 2:20). Kjo nuk do të thotë se ne mund të shpëtohemi nga veprat e mira, pasi asnjë masë veprash të mira nuk mund t’i pastrojë shpirtrat tanë qoftë edhe nga një gjurmë mëkati pa fuqinë e sakrificës së Krishtit. Por ata që kanë besim të vërtetë në Krisht, do të duan ta ndjekin Atë dhe do të bëjnë ato lloj punësh që Ai bëri, të tilla si të ndihmuarit e të varfërve dhe nevojtarëve, kujdesi për të sëmurët, vizita te të vetmuarit dhe tregimi i vullnetit të mirë dhe dashurisë për të gjithë njerëzit.

Kur ndjekim shembullin e Tij dhe jetojmë sipas fjalëve të Tij, ne do të ndiejmë besimin tonë të rritet gjersa bëhet një forcë aktive në jetën tonë, duke na ndihmuar të pendohemi dhe të merremi me sfidat tona. Besimi te Jezu Krishti nuk është një deklaratë e thjeshtë besimi – ai është burim force që mund ta ripërtërijmë çdo ditë duke studiuar fjalët e Tij, duke u lutur dhe duke u përpjekur më fort për të ndjekur shembullin e Tij.

Pendimi

Të pasurit besim te Jezu Krishti na bën që të duam të jetojmë një jetë të mirë. Kur mëkatojmë dhe përpiqemi të pendohemi, ne e njohim dhe ndiejmë keqardhje të thellë dhe të sinqertë për çka kemi bërë gabim. Kur Ai e krijoi tokën, Perëndia e kuptoi se ne nuk do të ishim të përkryer, kështu që Ai siguroi një udhë që ne t’i mposhtim mëkatet tona. Aftësia për t’u penduar është vërtet një nga bekimet tona më të mëdha.

Për t’u penduar ne duhet të njohim dhe ndiejmë keqardhje për atë që kemi bërë gabim, të bëjmë gjithçka të mundur për të ndrequr dëmin që mund të ketë shkaktuar dhe ta lëmë prapa sjelljen tonë mëkatare. Pendimi mund të jetë i vështirë dhe kërkon shumë ndershmëri, por gëzimi dhe liria që ndiejmë kur largohemi nga mëkatet tona ia vlejnë shumë përpjekjen. Për shkak se Krishti vuajti për mëkatet tona, ne mund të falemi kur pendohemi. Kjo është arsyeja përse Shlyerja është aq e rëndësishme për të gjithë ne.

Ne besojmë se Shlyerja e Jezu Krishtit na jep aftësinë të pendohemi dhe të pastrohemi nga mëkati. Të thuash se duhet të pendohemi për mëkatet tona mund të tingëllojë si ndëshkim, por ndëshkimi i vërtetë është faji, dëshpërimi dhe zhgënjimi që ndiejmë kur mëkatojmë. Pendimi është e kundërta e ndëshkimit, atëherë, ngaqë na lejon të bëhemi të pastër në sytë e Perëndisë dhe të heqim ndjesitë e fajit që pasojnë zgjedhjet tona të këqija.

Pagëzimi – Ndjekja e Shembullit të Jezu Krishtit

Pagëzimi është një premtim ose besëlidhje që bëjmë për ta ndjekur Jezu Krishtin gjatë gjithë jetës sonë. Kur ne e zhvillojmë besimin tonë në Të dhe pendohemi për mëkatet tona, një person që ka autoritetin e Perëndisë për të pagëzuar, na zhyt në ujë dhe na ngre përsëri. Kjo ordinancë ose ceremoni, nënkupton vdekjen dhe rilindjen, duke simbolizuar fundin e jetës sonë të vjetër dhe fillimin e një jete të re si pasues i Jezu Krishtit.

Kur pagëzohemi, ne marrim emrin e Krishtit mbi vete. Si të krishterë, ne përpiqemi ta ndjekim Atë në të gjitha aspektet e jetës sonë. Jezusi u pagëzua kur Ai ishte në tokë. Ai na ka kërkuar që ta ndjekim shembullin e Tij dhe të pagëzohemi (shih 2 Nefi 31:12). Ai ka premtuar që, nëse ndjekim shembullin e Tij dhe mbajmë premtimet që bëjmë kur pagëzohemi, ne do të kemi Shpirtin e Tij që të na udhëheqë gjatë kësaj jete. Ngaqë Ati Qiellor është një Perëndi i drejtë dhe i dashur, secili do të ketë mundësinë që ta pranojë Jezu Krishtin nëpërmjet pagëzimit, nëse jo në këtë jetë atëherë në tjetrën.

Pasi Jezusi u pagëzua, një zë nga qielli tha: “Ti je Biri im i dashur në të cilin jam kënaqur" (Marku 1:11). Ne besojmë se Perëndia është i kënaqur gjithashtu kur secili nga ne zgjedh të ndjekë Birin e Tij dhe të pagëzohet. Ai sheh gjithçka që bëjmë ne, na njeh me emër dhe do që të bëhemi të pastër në mënyrë që të mund të rikthehemi në praninë e Tij.

Dhurata e Frymës së Shenjtë

Kur Jezusi ishte në tokë, Ai i tha burrit që quhej Nikodem: “kush nuk ka lindur nga uji dhe nga Fryma, nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë" (Gjoni 3:5). Pasi “lind[emi] nga uji dhe nga Fryma", ose pagëzohemi, ne mund të “lind[emi…] nga Fryma" duke marrë dhuratën e Frymës së Shenjtë. Një person me autoritetin e Perëndisë vendos duart e tij në kokën tonë dhe na jep dhuratën e Frymës së Shenjtë (Veprat e Apostujve 8:17). Kjo ceremoni njihet si konfirmim. Fryma e Shenjtë është një Shpirt. Ai është anëtari i tretë i Kreut-Perëndi, bashkë me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin. Kur marrim dhuratën e Frymës së Shenjtë dhe ecim përulësisht përpara Perëndisë, Ai mund gjithmonë të jetë me ne. Ne e quajmë atë dhuratë sepse Fryma e Shenjtë na jepet nga Perëndia për të na udhëhequr kur përballemi me vendime të vështira, për të na ngushëlluar kur jemi të dëshpëruar, për të ndikuar mendjen dhe ndjenjat tona dhe për të na ndihmuar të dallojmë kur diçka është e vërtetë. Kjo lloj ndihme hyjnore na ndihmon të kujtojmë se Perëndia e do secilin prej nesh dhe do që të na ndihmojë në vështirësitë e jetës sonë.

Jetesa e Vazhdueshme e Krishterë

Një marrëdhënie me Jezu Krishtin është si çdo tjetër – ajo mund të fillojë të zbehet nëse ne e shkëputim kontaktin. Ajo kërkon përpjekje për të ushtruar mjaft besim në Krisht për t’u penduar, për t’u pagëzuar dhe për të marrë Frymën e Shenjtë, por ne duhet të përpiqemi që ta ndjekim Krishtin për të marrë gjithë bekimet që Perëndia dëshiron të na japë.

Çelësi është që ta mendojmë ungjillin e Jezu Krishtit si një model jetese dhe jo si hapa në një listë verifikimi. Ne mund të vazhdojmë ta rrisim besimin tonë në Krisht çdo ditë, duke lexuar fjalët e Tij në shkrimet e shenjta dhe duke iu lutur Atit tonë Qiellor. Kur mëkatojmë, ne mund të pendohemi në çdo rast me zemër të përulur, pasi Shlyerja e Jezu Krishtit është e pambarim. Ne mund të kujtojmë premtimet dhe bekimet e pagëzimit duke e marrë sakramentin çdo të diel në kishë. Ne mund të vazhdojmë të mbështetemi në ngushëllimin dhe drejtimin nga Fryma e Shenjtë ndërsa Ai na udhëheq sërish te Perëndia.

Ndonjëherë, edhe kur po bëjmë më të mirën tonë për të ndjekur shembullin e Jezu Krishtit, ne do të ndeshim në pengesa që mund të sjellin mërzi, zhgënjim dhe madje dëshpërim. Shumë nga gjërat që na rëndojnë në jetën tonë, nuk janë pasojë e mëkatit. Për shembull, vdekja ose sëmundja e të dashurve, stresi në punë ose vështirësia e ngritjes së një familjeje mund të sjellin sfida dhe pikëllim. Jezu Krishti tha: “Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje" (Mateu 11:28). Sapo jemi të gatshëm të kthehemi tek Ai, ne do ta ndiejmë dashurinë e Tij. Ky është një përfitim tjetër nga krishterimi i vazhdueshëm – sa më afër vijmë te Jezu Krishti, aq më shumë kuptojmë se Perëndia është në dijeni të gëzimit tonë dhe të trishtimit tonë. Ne mund të ngushëllohemi në faktin se Perëndia ka një plan lumturie për ne. Me ndihmën e Krishtit ne mund ta përmbushim lumturisht atë plan dhe të kthehemi të jetojmë me Atin tonë në Qiell. Kjo na jep një këndvështrim më të gjerë dhe na ndihmon të përballojmë sfidat e jetës.