mormon.org Në mbarë botën

Historia Familjare

Përse Historia Familjare është e Rëndësishme

Ata prej nesh që janë bërë thellësisht të interesuar për punën e historisë familjare, e dinë sa e këndshme mund të jetë ajo. Por nuk është kjo arsyeja pse ne kemi bibliotekën gjenealogjike më të madhe në botë dhe përse 15 milionë mormonë nxiten t’i kërkojnë rrënjët e tyre familjare. Për më tepër, ne nxitemi nga doktrina jonë që na mëson se martesa dhe familjet mund të vazhdojnë përtej kësaj jete. Por kjo mund të ndodhë vetëm kur familjet vulosen së bashku në një nga tempujt e shenjtë të Zotit nëpër botë dhe bashkohen për gjithë përjetësinë.

Kjo është mrekulli për të gjithë ne sot që kemi mundësinë të vulosemi në tempull, por si i bëhet me paraardhësit tanë që vdesin pa pasur mundësinë që të marrin ordinancat si pagëzimi ose bekimet e të qenit një familje e përjetshme? A ka kuptim që Perëndia do të thoshte thjesht: “Shumë keq, fat i rëndë"? Sigurisht që jo. Kur Krishti e organizoi Kishën e Tij në lashtësi, ajo përfshinte punë mëkëmbëse për të vdekurit dhe praktikën e kryerjes së ordinancave për të afërmit e vdekur. “Përndryshe çfarë do të bëjnë ata që pagëzohen për të vdekurit? Në qoftë se me të vërtetë të vdekurit nuk ringjallen  Përse ata edhe pagëzohen për të vdekurit?" (1 Korintasve 15:29). Rivendosja nga Krishti e Kishës së Tij të hershme në tokë nëpërmjet Profetit Jozef Smith përfshiu praktikën e lashtë të kryerjes së këtyre ordinancave për të afërmit tanë të vdekur në tempuj të shenjtë. Ungjilli i Jezu Krishtit përfshin po ato bekime sot në tempujt e shenjtë.

Kërkimi gjenealogjik ose i historisë familjare është një pjesë e nevojshme paraprake e punës në tempull për paraardhësit tanë të vdekur. Ne e bëjmë atë për të marrë emra dhe informacione të tjera gjenealogjike kështu që këto ordinanca tempulli të mund të kryhen për të afërmit tanë të vdekur. Pastaj paraardhësve tanë u mësohet ungjilli në botën e shpirtrave dhe kanë zgjedhjen për ta pranuar ose refuzuar punën e kryer për ta. Nënë Tereza një herë tha se “vetmia dhe ndjenja e të qenit i padëshiruar është varfëria më e tmerrshme". Mendimi se kjo varfëri e vetmisë – kjo gjendje e të qenit i padëshiruar dhe i ndarë nga të dashurit – mund të shtrihet përtej kësaj jete, është vërtet i trishtuar dhe diçka që puna e tempullit mund ta parandalojë.

Premtimi i Elijas

Përse po e bëjnë këtë? Shumica ndoshta do të thoshte ngaqë është një pasion argëtues dhe ndihen të nxitur nga një kureshtje e fortë rreth paraardhësve të tyre. Është ngaqë ata janë prekur nga shpirti i kësaj pune. Knowing Your Families Genealogy Sipas Dhiatës së Vjetër, Elija duhej të kthehej dhe të përgatiste udhën e Zotit. Shpirti i Zotit është shpirti i dashurisë që mundet përfundimisht t’i kapërcejë të gjitha ndarjet teksa ndërton lidhje midis brezave. Ai i lidh gjyshërit e dashur, tani të vdekur, me nipërit e mbesat që nuk i njohën kurrë, duke ruajtur dhe ndarë historitë dhe kujtimet e tyre. Një jetë e padokumentuar është një jetë që brenda një brezi ose dy do të humbasë kryesisht nga kujtesa. Dhe prapëseprapë, njohuria për paraardhësit tanë na formon dhe na ngulit vlera që i japin drejtim dhe kuptim jetës sonë.

Profeti biblik Malakia profetizoi për kthimin e Elijas me qëllim që të kthente zemrat e etërve te bijtë dhe zemrat e bijve tek etërit (shih Malakia 4:5–6)

Kjo profeci u përmbush në të vërtetë kur Profeti Elija iu shfaq Jozef Smithit dhe Oliver Kaudrit (burri që e ndihmoi Jozefin të përkthente Librin e Mormonit) në Tempullin e Kirtlandit më 3 prill 1836. Elija rivendosi fuqi të posaçme të priftërisë duke ua dhënë ato Jozefit dhe Oliverit. Kjo fuqi është ajo që bën të mundur që familjet të jenë të vulosura përgjatë breznive. Nëpërmjet punës për historinë familjare, ne mund të marrim pjesë në vazhdimin e përmbushjes së kësaj profecie. Ne mund të mësojmë rreth paraardhësve tanë dhe atyre që vdiqën pa pasur mundësinë ta dëgjojnë ungjillin dhe të marrin ordinanca dhe ta rritim dashurinë tonë për ta. Ne mund të frymëzohemi nga historitë e tyre të kurajës dhe besimit. Ne mund ta përcjellim atë trashëgimi te fëmijët tanë.

Qendra të Historisë Familjare

Edhe pse arsyet tona për bërjen e historisë familjare mund të jenë të ndryshme nga shumica, ne jemi të lumtur t’i ndajmë falas koleksionet tona të të dhënave në mikrofilma dhe të dixhitalizuara, me cilindo që ndan pasionin tonë. Kjo përfshin miliona njerëz, pasi gjenealogjia thuhet se është hobi me rritjen më të shpejtë në Amerikën Veriore, duke ia kaluar në përhapje qëndisjes, koleksionimit të pullave madje dhe kopshtarisë. Aq e përhapur, në fakt, saqë disa shfaqje televizive janë paraqitur kohët e fundit me njerëz të famshëm si edhe me njerëz të zakonshëm, që gjurmojnë rrënjët e tyre.

Biblioteka e Historisë Familjare e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, që gjendet në Solt-Lejk-Siti, në Juta, është biblioteka më e madhe gjenealogjike në botë dhe siguron qasje te shumë koleksione të dhënash, me më shumë se dy miliardë emra njerëzish të vdekur. Ajo përmban të dhëna nga më shumë se 100 vende, duke pasqyruar gjithçka qysh nga shekulli i 14-të me të dhënat e kishës Angleze deri te të dhënat e historive gojore afrikane. Një mesatare prej 2.400 njerëzish, përfshirë shumë vizitorë nga Europa dhe Azia, e vizitojnë çdo ditë bibliotekën.

Përveç bibliotekës sonë kryesore, ka më shumë se 4.500 qendra vendore të historisë familjare në të gjithë botën, shpesh të vendosura brenda shtëpive tona të mbledhjes në Kishë. Qëllimi i tyre është që t’u mësojnë njerëzve si të kërkojnë për paraardhësit e tyre. Ato kanë si personel anëtarë vendorë të Kishës që e japin vullnetarisht kohën e tyre dhe të gjitha këto shërbime sigurohen falas.