mormon.org Në mbarë botën

Si ndryshon Libri i Mormonit nga Bibla? Si i mori Jozef Smithi “fletët prej ari" ose Librin e Mormonit?

Përgjigje Zyrtare

Libri i Mormonit është një dëshmi tjetër se Jezu Krishti vërtet jetoi, se Ai ishte dhe është Biri i Perëndisë. Ai përmban shkrimet e profetëve të lashtë. Njëri prej këtyre, Lehi, jetoi në Jerusalem rreth viteve 600 pr.K. Perëndia e urdhëroi Lehin që të udhëhiqte një grup të vogël njerëzish për në kontinentin amerikan. Atje ata u bënë një qytetërim i madh.

Perëndia vazhdoi të thërresë profetë midis këtyre njerëzve. Libri i Mormonit është një përmbledhje e shkrimeve të profetëve dhe mbajtësve të analeve të tyre.

Në shtator të vitit 1823, Jozef Smithin e vizitoi një lajmëtar qiellor i quajtur Moroni – i fundit nga këta profetë të lashtë që mbajti analin – në po atë mënyrë me të cilën engjëj iu shfaqën shpesh udhëheqësve të Kishës në Dhiatën e Re (shih veçanërisht librin Veprat e Apostujve). Engjëlli Moroni e informoi Jozefin se Perëndia kishte një punë për të që ta kryente. Moroni i tha Jozefit se një anal i banorëve të vjetër të kontinentit amerikan ishte groposur në një kodër në afërsi dhe se anali përmbante plotësinë e ungjillit të Jezu Krishtit.

Në shtator të vitit 1827, Jozefi e mori analin, që ishte shkruar në fletë të holla prej ari. Ne e dimë tani se nuk ishte e pazakontë për njerëzit në atë epokë të Amerikës antike që të mbanin anale në fletë metalike. Jozefi e përktheu librin në anglisht me frymëzimin e Perëndisë. Libri quhet Libri i Mormonit: Një Dëshmi Tjetër e Jezu Krishtit. Ai është quajtur sipas Mormonit, një profet i lashtë që bëri një përmbledhje të analeve të shenjta të popullit të tij.

Libri i Mormonit u botua në 1830-ën. Qysh nga ajo kohë ai ka bekuar jetën e miliona njerëzve me anë të mesazhit të tij të fuqishëm rreth Jezu Krishtit dhe ungjillit të Tij.

Libri vërteton, si një dëshmi tjetër e Krishtit, realitetin dhe hyjninë e Jezu Krishtit. Këta profetë dinin rreth planit të Atit Qiellor për fëmijët e Tij dhe misionin e Jezu Krishtit. Ata shënuan se Krishti u shfaq, pas Ringjalljes së Tij, te njerëzit në Amerikë, u mësoi atyre ungjillin e Tij dhe formoi Kishën e Tij midis tyre. Libri përmban mësimet e Jezu Krishtit, duke dëshmuar për Shlyerjen e Tij dhe dashurinë e Tij. Ai mbështet dhe vërteton Biblën. Bibla përmban profeci rreth këtyre njerëzve në Amerikë (shih Ezekieli 37:15–17, Isaia 29:18).

Libri i Mormonit përfundon me një premtim të madh se ata që e lexojnë atë dhe luten sinqerisht rreth tij, mund ta dinë me anë të Frymës së Shenjtë se ai është i vërtetë (Moroni 10:4).