mormon.org Në mbarë botën

Çfarë është një lagje/kunj/degë?

Përgjigje Zyrtare

Bashkësitë tona quhen lagje (ose degë për bashkësi më të vogla). Ato janë të organizuara gjeografikisht dhe anëtarët marrin pjesë në një lagje ose degë pranë shtëpisë së tyre. Ngaqë në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme të gjitha materialet mësimore janë njësoj nëpër të gjitha lagjet dhe degët, një person do të studiojë të njëjtat mësime pavarësisht se në ç’vend të botës merr pjesë në kishë. Udhëheqësi shpirtëror i çdo lagjeje quhet peshkop (ose president dege për degët). Ai është anëtar i bashkësisë të cilit i është kërkuar të shërbejë si vullnetar në këtë pozitë. Një grup lagjesh formon një kunj dhe udhëheqësi i një kunji është president kunji. “Kunj" nuk është term i gjetur te Dhiata e Re, por është marrë nga përfytyrimi i tendës te Dhiata e Vjetër, “tendë", ose kishë, e cila mbahet në këmbë nga kunja mbajtëse (shih Isaia 54:2).

Një lagje ose degë është një bashkësi ku anëtarët krijojnë miqësi dhe ndihmojnë njëri-tjetrin. Anëtarët përpiqen të ndjekin mësimet e një profeti të lashtë që na mësoi se kur pagëzohemi, ne jemi “të gatshëm [të mbajmë] barrat e njëri-tjetrit, që ato të mund të jenë të lehta" dhe “të gatshëm të [vajtojmë] me ata që vajtojnë; po, dhe të [ngushëllojmë] ata që kanë nevojë të ngushëllohen" (Libri i Mormonit, Mosia 18:8–9). Nëpërmjet shërbimit, anëtarët ngrenë barrët e njëri-tjetrit dhe shprehin dashurinë e tyre.