mormon.org Në mbarë botën

Çfarë besojnë mormonët për “jetën e përjetshme"?

Përgjigje Zyrtare

Qielli është vendi ku Perëndia jeton dhe shtëpia e ardhshme e atyre që e bëjnë vullnetin e Perëndisë dhe i ndjekin mësimet e Jezu Krishtit. Shpresa e Atit tonë Qiellor dhe e Jezu Krishtit dhe qëllimi i jetës në këtë tokë është të na mësojnë dhe të na përgatitin që ne, së bashku me familjet tona, të mund të jetojmë përjetësisht me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin.

Pasi të ringjallemi ne do të gjykohemi dhe shpërblehemi për gjërat që kemi bërë në këtë jetë (shih Zbulesa 20:12, 13).

Jezu Krishti u mësoi Apostujve të Tij se në shtëpinë e Atit të Tij ka “shumë banesa" (Gjoni 14:2). Ati ynë i dashur Qiellor është i dëshiruar që t’i shpërblejë të gjithë fëmijët e Tij sipas bindjes së tyre ndaj urdhërimeve të Tij dhe gatishmërisë së tyre për ta ndjekur Shpëtimtarin.

Ata që i bëjnë këto gjëra dhe janë të denjë të kthehen në praninë e Perëndisë dhe të Krishtit, bëhen “trashëgimtarë të Perëndisë dhe bashkëtrashëgimtarë të Krishtit" (Romakëve 8:17) për gjithçka që ka Ati. Ata do të rikthehen të jetojnë me Atin Qiellor dhe me familjet e tyre në lavdinë e Tij të përjetshme.

Ata që zgjedhin të mos e ndjekin Atin tonë Qiellor dhe Jezu Krishtin, do të marrin një shpërblim sipas asaj që kanë bërë në këtë jetë, por ata nuk do ta gëzojnë lavdinë e të jetuarit në praninë e Perëndisë.