mormon.org Në mbarë botën

Çfarë besojnë mormonët rreth Jezu Krishtit? A besojnë mormonët se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë?

Përgjigje Zyrtare

Jezu Krishti është mirëfilli Biri i Perëndisë. Lindja, jeta, vdekja dhe ringjallja e Tij përmbushën profecitë e shumta që janë në shkrimet e shenjta lidhur me ardhjen e një Shpëtimtari. Ai ishte Krijuesi, Ai është Shpëtimtari ynë dhe Ai do të jetë Gjykatësi ynë (shih Isaia 9:6, 53:3–7; Psalmeve 22:16-18).

Nën drejtimin e Atit tonë Qiellor, Jezu Krishti krijoi tokën (Gjoni 1:10; Hebrenjve 1:2).

Kur Jezusi jetoi në tokë (rreth 2.000 vite më parë), Ai bëri një jetë të përsosur. Ai dha mësim nëpërmjet fjalës dhe shembullit se si njerëzit duhej të jetonin në dashuri për Perëndinë dhe të tjerët.

Nëpërmjet vuajtjes së Tij në Kopshtin e Gjetsemanit dhe duke e dhënë jetën e Tij në kryq – që do të thotë, duke kryer Shlyerjen – Jezu Krishti na shpëtoi nga mëkatet tona (1 Pjetër 2:21) kur ne e ndjekim Atë. Në saje të Shlyerjes, ju mund të faleni për mëkatet tuaja kur pendoheni sinqerisht (Libri i Mormonit, Mosia 26:30).

Nëpërmjet Ringjalljes së Tij, Jezu Krishti na shpëtoi nga vdekja. Ngaqë Ai e mposhti vdekjen, neve të gjithëve do të na jepet dhurata e ringjalljes, që do të thotë se shpirtrat tanë do të ribashkohen përjetësisht me trupat tanë (Veprat e Apostujve 24:15; 1 Korintasve 15:22). Kur jeta në këtë tokë të mbarojë, Jezu Krishti do të jetë Gjykatësi i fundit (Veprat e Apostujve 17:31; Gjoni 5:21–22; Veprat e Apostujve 10:42).