Java e Pashkës

Java e fundit e jetës së Shpëtimtarit e ndryshoi botën përgjithmonë. Zbulo se si ngjarjet e secilës ditë na ndihmojnë ta vlerësojmë misionin e Tij të mrekullueshëm.
  • Jezu Krishti futet me ngadhënjim në Jerusalem me ndjekësit e Tij që i shtronin cohëra dhe gjethe palme në shteg. Nuk është hera e parë që Ai ka hyrë në qytet. Shërbesa e Tij trivjeçare e çoi përqark Tokës së Shenjtë ku dha mësim, bëri mrekulli dhe përhapi dritën e ungjillit të Tij. Por këtë herë, Jezu Krishti po përgatitet të kryejë mrekullinë e Tij më të rëndësishme nga të gjitha.

    Sikurse çdo gjë që Ai bëri, hyrja e Jezu Krishtit përmbush profecinë. Mbërritja e Tij në Jerusalem është një provë e fuqishme se Perëndia i mban premtimet e Veta ndaj fëmijëve të Tij. Ati ynë Qiellor siguroi një mënyrë që ne ta mposhtim mëkatin dhe vdekjen — nëpërmjet Birit të Tij, Jezu Krishtit.

  • Pas hyrjes në Jerusalem, një nga gjërat e para që bën Jezu Krishti, është vajtja në tempull. Atje, brenda shtëpisë së Atit të Tij, Jezusi sheh tregtarë të ndryshëm duke blerë e duke u shitur atyre që kalonin. Duke folur me autoritet të pagabueshëm, Ai i urdhëron ata të largohen.

    Pastrimi i tempullit në Jerusalem qe një vepër trimërie. Ne mund të marrim guxim duke e ditur se Jezu Krishti bëri atë që e dinte se ishte e drejtë, qoftë nëse ishte e mirëpritur apo jo. Kur e ndjekim Atë, ne marrim forcën për të bërë të njëjtën gjë.

  • Prania e Jezusit në Jerusalem nuk kaloi pa u vënë re nga autoritetet. Ngaqë e shikonin Jezusin si kërcënim, ata kërkonin ta diskreditonin. Në Malin e Tempullit, ata e marrin në pyetje Jezusin me shpresë që të gjenin diçka që mund ta përdornin kundër Tij. Por përgjigjet e frymëzuara të Jezusit nuk zbulojnë ndonjë krim dhe armiqtë e tij diskreditojnë vetëm veten.

    Pavarësisht kundërshtimit të pabesueshëm, puna e Jezu Krishtit vazhdoi përpara. Për shkak të dashurisë së Tij të madhe për ne, neve nuk na duhet të përballemi me pengesat e jetës të vetëm. Kur e kërkojmë ndihmën e Tij, ne mund t’i mposhtim edhe sfidat më të mëdha.

  • Ngjarjet e së mërkurës janë të panjohura. Por në vend që të përqendrohemi te fakti se ku ishte Jezusi, ne mund të përqendrohemi tek ajo që Jezusi dha mësim gjatë shërbesës së Tij.

    Jezusi ishte Kryemësuesi. Duke ia hapur zemrat tona Atij, ne mund të gjejmë përgjigje për pyetjet më të rëndësishme të jetës. Por që të bëjmë kështu, ne duhet të jemi sikurse ishin dishepujt e Tij – të përulur e të sinqertë.

  • Jezusi mban Pashkën me Apostujt e Tij në atë të cilës shpesh i drejtohemi si Darka e Fundit. Ai e tregon dashurinë e Tij për ta, nëpërmjet fjalëve të Tij si dhe veprimeve të Tij njëherazi. Pastaj, së bashku ata nisen për në një kopsht të qetë të quajtur Gjetseman. Por atë që ndodh në vijim, Jezusi duhet ta durojë i vetëm. Ai lutet dhe mposhtet nga një agoni e pamundur për t’u kuptuar. Ky është fillimi i kulmit të misionit të shenjtë të Jezu Krishtit. Ai merr mbi Vete mëkatet e botës.

    Megjithëse jetoi një jetë të përkryer, Jezu Krishti pagoi çmimin për të gjitha mëkatet tona. Ishte një sakrificë që vetëm Ai mund ta bënte dhe Ai e bëri me kaq gatishmëri – për ty, për të gjithë ne.

  • Në orët e para të mëngjesit, Jezusi tradhtohet duke u lënë në duart e autoriteteve vendore. Pas një sërë gjyqesh të njëanshme, Ai dënohet me vdekje me kryqëzim. Ai vdes në kryq atë pasdite, me dishepujt dhe akuzuesit e Tij të pranishëm si dëshmitarë.

    Ngaqë Jezu Krishti përjetoi vuajtje aq të thellë, Ai ka ndjeshmëri të përsosur për ne kur ne kemi dhembje, qoftë ajo fizike apo shpirtërore. Ngaqë Ai e mposhti vdekjen për të jetuar sërish, Ai ka fuqinë për të na ndihmuar të ngrihemi mbi sfidat në jetën tonë, pavarësisht sa të errëta e të vështira mund të duken gjërat.

  • Një natë përpara, trupi i Jezu Krishtit qe vendosur në varr. Shkrimet e shenjta më së shumti nuk tregojnë gjë për ditën pas kryqëzimit të Tij.

    Me gjasë, kjo qe një ditë me reflektim të thellë për ndjekësit e Tij dhe familjet e tyre. Po ashtu, ti dhe familja jote ftoheni të gjeni kohë për të menduar vërtet rreth asaj që kaloi Jezu Krishti dhe arsyes përse Ai qe i gatshëm ta bënte këtë.

  • Herët në mëngjes, Maria Magdalena, një mike dhe ndjekëse e Jezusit, vjen në varr për t’u kujdesur për trupin e Jezu Krishtit. Për çudinë e saj, ajo e gjen varrin të zbrazët. Por ajo nuk është vetëm. Një burrë i drejtohet asaj. Një kopshtar hamendëson ajo. Por atëherë Ai thotë emrin e saj: “Mari”. Dhe ajo e shikon. Ai është Jezusi. Krishti jeton.

    Jezu Krishti e mposhti vdekjen dhe u ringjall dhe, ngaqë Ai jeton, të gjithë ne do të jetojmë sërish. Ngaqë Ai jeton, jo vetëm ditën e tretë, por në këtë ditë, çdo ditë, ne mund ta gjejmë Atë.

Mëso më shumë për jetën dhe misionin e Jezu Krishtit këtu.