mormon.org Në mbarë botën

Përshëndetje, unë jam Margarita

  • Margarita Faundez
  • Margarita Faundez
  • Margarita Faundez
  • Margarita Faundez
  • Margarita Faundez
  • Margarita Faundez
  • Margarita Faundez
  • Margarita Faundez

Rreth Meje

Unë jam një e re plot me ëndrra dhe synime që përpiqem t’i përmbush ditë pas dite. Kam një paaftësi pamore (jam e verbër), megjithatë kjo nuk më lë prapa sepse më bën më të fortë për t’u përballur me sfidat e jetës së përditshme. Të jetuarit me një paaftësi më bën ta shoh jetën nga një pikëpamje tjetër. Më ndihmon ta kuptoj se ne nuk jemi të vetëm në këtë botë. Në të njëjtën mënyrë se si unë mbështetem te dikush tjetër, ne të gjithë mbështetemi te njerëz të tjerë. Ndonëse shumë njerëz nuk do ta pranojnë këtë, kjo e bën jetën më të bukur kur ne jemi në gjendje të shohim përtej interesave tona vetjake. Më pëlqen së tepërmi puna ime si terapiste masazhesh sepse ndiej që mund t’i ndihmoj njerëzit më shumë sesa thjesht fizikisht. Ajo është një punë e shkëlqyer; një punë ku nuk të duhet shikimi, por prekja për ta fituar mirëbesimin dhe ngrohtësinë e pacientit tënd. Është bukur të ndiesh se me një masazh mund ta ndryshosh gjendjen shpirtërore dhe qëndrimin e një njeriu. Unë jam një atlete e lojërave paralimpike, një vrapuese me rendiment të lartë, një anëtare e Klubit Kombëtar Atletik Paralimpik të Kilit. E nisa këtë aventurë vrapimi kur isha 20 vjeçe dhe është bërë një nga sfidat më të mëdha të jetës sime. Nuk ka qenë e lehtë. Kam pasur shumë çaste të vështira, por shumë suksese. Jo vetëm medalje por përfundimin e çdo stërvitjeje, të mësuarin se si të kem një dietë të drejtpeshuar, të mësuarin se si të humbas, të mësuarin se si të jem këmbëngulëse dhe sigurinë te vetja. Të gjitha këto gjëra janë arritje për mua. Mund ta them sinqerisht se fizkultura ma ka ndryshuar jetën, duke më dhënë një mal me lumturi e sukses.

Përse Jam Mormon

Kam qenë shdm që kur u linda. Shkoj në Kishë me familjen time. Feja ime është gjithçka për mua, është jeta ime. Dashuria e Perëndisë është forca ime për të vazhduar të luftoj ditë pas dite. Jeta nuk është e lehtë për mua. Megjithatë kur e kupton se cili është qëllimi i ekzistencës sonë këtu në tokë, kur e di se ku ishe përpara se të lindeshe, arsyen pse jemi këtu dhe atë që do të ndodhë kur të vdesim, çdo sakrificë, çdo sprovë, çdo vështirësi ka një qëllim dhe ia vlen të vazhdosh të bësh një përpjekje. Kam besuar gjithnjë te Perëndia. Prindërit e mi ishin një shembull. Ata më rritën në një familje të krishterë. Ne nuk jemi të përsosur por bëjmë përpjekje për të qenë një ditë. Ata më kanë thënë shumë herë: “Ti je mormone. Pse prindërit të rritën në këtë mënyrë? Ti po jeton në një flluskë”, por unë nuk mund ta mohoj atë që jam dhe ndiej. Nuk ka asnjë mënyrë tjetër të jetuari për mua. Ky nuk është një detyrim e as një traditë, është ajo që dua për veten dhe familjen time të ardhshme. Kam pasur një jetë të vështirë, megjithatë sprovat, problemet apo vështirësitë nuk më kanë larguar nga Kisha. Është e kundërta. Besimi im është forcuar në çdo hap. Unë e di se Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është e vërtetë. E di se Ati ynë Qiellor dhe Jezu Krishti jetojnë. Unë i dua Ata pa kushte. E di se Ata na duan, gjë që është arsyeja pse Perëndia krijoi një plan të lumturisë për të gjithë fëmijët e Tij. Dashuria e tij është aq e madhe, sa ai dërgoi Jezu Krishtin në tokë për ne. Jam e sigurt se nuk do të kisha qenë në gjendje të kisha një mik më të mirë se Jezu Krishti përderisa Ai dha jetën e Tij për mua. Unë mund të bëj çfarëdo që Ai të më kërkojë. Jam mirënjohëse për Perëndinë që e kam këtë thesar në jetën time që është i paçmueshëm, ungjillin e Tij. Një thesar kaq me vlerë sa bollëku i tij mund të arrijë te kushdo. Unë dua ta shpreh këtë çdo ditë të jetës sime … Nuk kam asnjë dyshim se të jesh mormon është të jesh i lumtur!

Si e jetoj unë besimin tim

Besimi im te Perëndia dhe te Jezu Krishti më jep shtysë nga dita në ditë për të qenë më e mirë, kjo është arsyeja përse përpiqem ta ndaj me çdo njeri që njoh. Mësimdhënia për njerëzit është mënyra ime për ta bekuar jetën e tyre, qoftë nëse është me anë të fjalëve të mia apo shembullit tim. E ndiej se Perëndia më njeh shumë mirë. Kjo është arsyeja përse të gjitha detyrat dhe thirrjet e mia brenda Kishës kanë një lidhje të drejtpërdrejtë me mësimdhënien. Isha mësuese e Parimeve të Ungjillit, që u jepen mësim çdo njeriu që dëshiron të dijë e të mësojë rreth Kishës dhe për anëtarët e rinj. Isha një mësuese seminari për tre vjet, një program i Kishës për të rinjtë e moshave 14 deri 18 vjeç që i ndihmon ata të mësojnë rreth mësimeve të Jezu Krishtit dhe Profetëve e Apostujve të vjetër, të regjistruara në shkrimet e shenjta. Mësimdhënia tek të rinjtë e ka ndryshuar dhe e ka bekuar jetën time plotësisht. Dashuria që ata treguan për mua, më mbushi me lumturi. Të parit se si ata bënë ndryshime të përditshme për t’u bërë më të mirë, më dha mua forcën për të bërë të njëjtën gjë dhe për t’i jetuar me ta vitet e adoleshencës. Sfidat e tyre dhe hidhërimet e tyre më kujtuan se edhe unë i jetova ato vite ndërkohë që po përpiqesha të vihesha në vendin e tyre. Jam shumë e sigurt se gjithçka që u mësova atyre, do t’i ndihmojë ata në një pikë të jetës së tyre dhe ata do ta mbajnë mend atë që mësuan, dhe kjo do t’i ndihmojë të marrin vendime të drejta. Tashmë jam një mësuese e Fillores për fëmijët 4 deri 8 vjeç; ata ma mbushin jetën dhe zemrën. Me pafajësinë, ëmbëlsinë dhe përulësinë e tyre ata më mësojnë më tepër se sa u mësoj unë. Ata më duan dhe më bëjnë të lumtur. Jam e lumtur kur mund ta jap kohën time për të tjerët në Kishë. Kjo më ndihmon t’i harroj sfidat e mia, të kuptoj se ato janë të vogla krahasuar me sfidat me të cilat përballen njerëzit e tjerë, dhe e kuptova se kam shumë gjëra për të cilat të jem falënderuese, ta shoh jetën në një mënyrë më pozitive dhe të mësoj nga përvojat e bukura të të tjerëve.