Qëllimi i një Shpëtimtari

SECILI PREJ NESH PËRJETON SPROVA DHE LËNDIME.

Mundimet janë pjesë e jetës. Ne të gjithë i kalojmë ato. Por këto kohë të vështira e kanë një qëllim.



NE BËJMË GABIME SEPSE JEMI TË VDEKSHËM.

Ne jemi këtu për të mësuar. Dhe një pjesë e të mësuarit përfshin bërjen e gabimeve. Por ne mund të rritemi nga përvojat tona.



PAVARËSISHT PËRPJEKJEVE TONA MË TË MIRA KA NJË LARGËSI MIDIS NESH DHE PERËNDISË.

Kjo largësi krijohet kur ne largohemi prej Tij. Ndonjëherë ne e bëjmë këtë qëllimisht duke zgjedhur të mos i bindemi Perëndisë. Ka herë të tjera kur e bëjmë këtë pa e ditur. Kjo largësi na bën të palumtur.



NE KEMI NEVOJË PËR NDIHMË.

Ne nuk mund ta bëjmë gjithçka vetë. Ne kemi nevojë për dikë që mund ta shohë tablonë e madhe kur ne nuk jemi në gjendje ta bëjmë. Për dikë shtysat e të cilit janë të pastra. Një aleat. Një mik. Një avokat.



PËR DIKË QË E KUPTON SAKTËSISHT ATË QË PO PËRJETOJMË.

A mund të thoni vërtet se e keni takuar ndonjëherë dikë që e di saktësisht se si ndiheni? Dikë që mund ta gjejë veten në mënyrë të përsosur te përvoja juaj? Gjendet një person që e di vërtet se çfarë po kaloni ngaqë Ai e kaloi atë.



NE KEMI NEVOJË PËR DIKË QË MUND TË NA NDIHMOJË T’I NDREQIM GABIMET E T’I SHËROJMË PLAGËT TONA.

Gjendet një person që mund të shërojë çfarëdo plagë e të ndreqë çdo gabim. Asnjë dhembje apo brengë nuk ka pse të zgjatë përgjithmonë.



AI DIKUSH MUND TË BËHET URA LIDHËSE E HENDEKUT MIDIS NESH DHE PERËNDISË.

Nëse e kemi larguar veten nga gjërat që do ta bënin të lumtur jetën tonë, ne mund të gjejmë shpresë te dijenia se ka një udhë kthimi. E ardhmja nuk është gdhendur mbi gur. Ne kemi një mik i cili mund të na sjellë përsëri te Perëndia dhe të kompensojë për ato ku ne dështojmë.



AI DIKUSH ËSHTË NJË SHPËTIMTAR. AI SHPËTIMTAR ËSHTË JEZU KRISHTI.

Shumë kohë më parë, Ai u lind në një qytet të vockël. U lind për të shëruar zemrat e thyera, u lind për të forcuar dobësitë tona. Ai u lind për të na çliruar nga barrët tona e për të na ribashkuar me Perëndinë, Atin. Për shkak se Krishti u lind, ne mund të rilindim. Sepse për ne #NjëShpëtimtarKaLindur.



SI PËRFITOJMË NE NGA AJO QË SHPËTIMTARI PO NA OFRON TANI?

Jezu Krishti u lind dhe e dha jetën e Tij që çdo njeri të mund të ketë mundësinë për ta vendosur të ardhmen vetjake të tij apo të saj. Ai vuajti për ne në mënyrë që ne të mund të zgjidhnim të mos vuanim. Që ne të mund të zgjidhnim të drejtën e jo të gabuarën, që të mund të zgjidhnim të ndryshonim po ta gjenim veten duke shkuar në drejtimin e gabuar. Ne e përdorim më së miri këtë dhuratë duke zgjedhur ta ndjekim Atë. Ta pranojmë hirin e Tij nëpërmjet pendimit. Duke e bërë këtë zgjedhje ne zgjedhim lumturinë.



ÇFARË DO TË THOTË TA NDJEKËSH KRISHTIN SOT?

Ne zgjedhim ta ndjekim Jezu Krishtin duke i dëgjuar fjalët e Tij, duke e ndjekur shembullin e Tij. Ai na ka dhënë udhërrëfime që na tregojnë se si të mund të jetojmë jetën më të mirë të mundshme, jetë e mbushur me gëzim dhe qëllim.